Parlamenti Evropian (PE) pritet të kërkojë që vazhdimi i bisedimeve të anëtarësimit mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian (BE) të kushtëzohet me vendosjen e sanksioneve nga Beogradi ndaj Rusisë.
Kjo kërkesë është pjesë e një draft-raporti për strategjinë e zgjerimit të BE-së të përgatitur nga Tonino Piculla, deputet socialdemokrat nga Kroacia, i cili është raportues i PE-së për këtë strategji.
Në propozime po ashtu thuhet se duhet “të bëhet prioritet përshtatja e vendeve nga procesi i zgjerimit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së dhe të vazhdohen negociatat e anëtarësimit me Serbinë, vetëm nëse ky vend i bashkohet sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë”.
Serbia ka votuar disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara që dënojnë pushtimin rus të Ukrainës, por deri më tani nuk u është bashkuar sanksioneve të bllokut evropian ndaj Moskës.
Edhe më herët, PE-ja ka kërkuar nga Serbia që t’i vendosë sanksione Moskës. Por, në këtë draft-raport për herë të parë përmendet kushtëzimi i bisedimeve për anëtarësim me vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Rusisë.
Serbia, së bashku me Turqinë, janë shtetet e vetme që bëjnë pjesë në procesin e zgjerimit, që deri më tani nuk kanë mbështetur sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Ditëve të fundit, në disa qarqe të BE-së është shprehur zhgënjim me sjelljen e Serbisë, pasi Beogradi javën e kaluar nënshkroi një marrëveshje për konsultime në fushën e politikës së jashtme me Federatën Ruse.
Edhe Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësim për këtë marrëveshje, teksa ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha se në kohën kur pushtimi i Ukrainës po vazhdon, askush nuk do të duhej “të nënshkruante diçka me Rusinë”.
Por, Serbia ka thënë se një marrëveshje të tillë, Ministria e Jashtme serbe ka nënshkruar me Rusinë që nga viti 1996, çdo dy vjet.
Në draft-raportin e PE-së, për të cilin do të debatohet në tetor në Komisionin e Politikës së Jashtme, kërkohet që sa më shpejt të përmbyllet liberalizimi i vizave për Kosovën. Po në tetor, Këshilli Evropian ka vendosur në agjendë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Sipas dokumentit, kërkohet që BE-ja të angazhohet më shumë me autoritetet e Kosovës dhe Serbisë që përmes dialogut të ndërmjetësuar nga blloku, shtetet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme për normalizimin e raporteve.
Aty po ashtu theksohet mbështetja për aspiratat evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor, por edhe për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë.
Përmes dokumentit të përgatitur nga PE-ja po ashtu bëhet thirrje që “të përshpejtohet procesi i integrimit i atyre vendeve që dëshmojnë orientim strategjik dhe përkushtim të palëkundur ndaj reformave evropiane, konsolidimit të demokracisë dhe harmonizimin me politikën e jashtme të BE-së”.
PE-ja kërkon që të shpërblehet përparimi i shteteve kandidate që kanë harmonizuar politikat e tyre me ato të BE-së dhe të sanksionohet çdo regres.
“Duhet siguruar që hapat e përkohshëm të integrimit të mos e zëvendësojnë, por ta ndihmojnë qëllimin përfundimtar që duhet të jetë anëtarësimi i plotë në BE”, thuhet në draft-raport.
Dokumenti i hartuar nga raportuesi Piculla kërkon që të pezullohet procesi i negociatave të anëtarësimit mes BE-së dhe Turqisë në përputhje me kornizën negociuese, derisa Ankaraja të mos angazhohet përsëri me Brukselin dhe të dëshmojë përparim të qartë në reforma. Por, Parlamenti Evropian kërkon që me Turqinë të ketë “partneritet thelbësor në fushat e interesit të përbashkët”.
Strategjia e zgjerimit, sipas PE-së, duhet të propozojë edhe një “partneritet të posaçëm” me ato shtetet që nuk e kanë qëllim të anëtarësohen në bllokun evropian apo nuk përmbushin kriteret për anëtarësim.
PE-ja po ashtu përsërit se procesi i zgjerimit duhet të jetë një proces ku secili shtet vlerësohet në bazë të meritave individuale në të cilin mbetet në fuqi politika e kushtëzimit. Ky kushtëzim duhet të përqendrohet sidomos në respektimin e parimeve të demokracisë, pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe lirinë e mediave.
Nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Serbia dhe Mali i Zi janë më të avancuar në procesin e anëtarësimit. Këto dy shtete kanë hapur disa kapituj në procesin e negociatave të anëtarësimit. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria këtë vit kanë hapur procesin e bisedimeve, ndërkaq Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina mbeten të fundit në rajon në rrugën e tyre drejt BE-së, pasi asnjëra prej tyre nuk kanë marrë ende statusin e vendit kandidat./REL