Rritja e shpejtë e yield-eve të Bonove të Thesarit po sjell paralelisht edhe shtrenjtimin e kësteve të kredisë së huamarrësve me interesa të ndryshueshme në lekë.
Instrumentet e borxhit të qeverisë dhe sidomos bonot 12-mujore përdoren edhe si tregues reference edhe në kreditimin e sektorit privat. Të gjithë ata huamarrës që kanë kredi afatgjata në lekë me interesa të ndryshueshëm këtë vit do të përballen me një rritje të fortë të interesit total të kredisë dhe të vlerës së këstit mujor që paguajnë. Në ankandin e kësaj jave, yield-i mesatar i ponderuar i bonove 12-mujore arriti në 4.53%, niveli më i lartë që prej vitit 2013.
Në harkun e një viti, yield-i mesatar i këtyre instrumenteve është rritur me 2.76 pikë përqindje. Një huamarrës që, sipas kontratës, do të kishte rivlerësimin periodik të kredisë në bazë të interesit të bonove, do të paguante sot një normë interesi në këstin e radhës prej 2.76 pikë më të lartë.
Sipas indeksit të çmimeve Keydata, llogaritur nga Çelësi, një m2 banesë në kryeqytet një vit më parë kushtonte afërsisht 1100 euro. Për një apartament me sipërfaqe bruto 100 m2, vlera mund të përllogaritet në 110 mijë euro ose rreth 13.3 milionë lekë (me kursin e përafërt të një viti më parë, 1 EUR=121 ALL).
Një familje që ka financuar 70% të vlerës me kredi ka marrë një hua prej afërsisht 9.3 milionë lekësh. Sipas një norme mesatare të interesit të ndryshueshëm bono thesari+2.5%, me afat maturimi prej 25 vjetësh, një vit më parë interesi i kredisë është afërsisht 4.3% dhe kredi marrësi paguante afërsisht 50 mijë lekë në muaj. Me yield-in aktual të bonove, interesi total i kredisë ka arritur në afërsisht 7% dhe kësti mujor për të njëjtën shumë dhe maturitet llogaritet në pothuajse 66 mijë lekë në muaj. E thënë ndryshe, për një vit kësti i kredisë është shtrenjtuar me 16 mijë lekë ose rreth 32%.
Afërsisht e njëjta gjë po ndodh edhe me kreditë në euro. Treguesi i referencës, Euribori 12-mujor ka kaluar nivelin e 2.6%, ndërsa një vit më parë ishte në nivele negative (0 për efekt të llogaritjes së interesit të kredive). Një vit më parë, një kredi në vlerën e 77 mijë eurove, me afat 25 vjet dhe interes të ndryshueshëm Euribor +4%, kishte një normë totale interesi prej 4% dhe një këst mujor prej 406 eurosh. Sot, interesi total i kredisë ka arritur në 6.6% dhe kësti mujor në 525 euro. Krahasuar me një vit më parë, vlera e këstit është rritur me 119 euro ose 29%
Pjesa më e madhe e kredive për shtëpi të familjeve në fakt kanë një periudhë fillestare fikse, që zakonisht shkon deri në tre vjet. Për këtë arsye, një pjesë e mirë e atyre që kanë marrë kredi në vitet e fundit ende nuk janë përballur me nisjen e ciklit të interesit të ndryshueshëm, por sigurisht që efekti i rritjes së interesave do të jetë vetëm çështje kohe.
Inflacioni i lartë nga njëra anë dhe rritja e kostos së kredisë nga ana tjetër po gërryejnë fuqinë blerëse të familjeve huamarrëse, çka do të rezultojë në ulje të shpenzimeve për konsum apo të mundësisë për të kursyer.
Një situatë e tillë, teorikisht shton rreziqet edhe për sektorin bankar. Në një moment të parë, kjo rritje e shpejtë e yield-eve do të përkthehet në zgjerimin e të ardhurave nga interesat. Por, gradualisht interesat më të larta do të ulin aftësinë paguese të huamarrësve, duke rritur sasinë e kredive me probleme dhe duke ngadalësuar kredidhënien e re./Monitor