Po zhvillohet sot prezantimi i shërbimit satelitor në Republikën e Shqipërisë.
Ministri i mbrojtjes Niko Peleshi në një komunikim për mediat ka bërë me dije se do të nënshkruhet kontrata 6 milion dollarëshe e Shërbimit Satelitor në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë për monitorimin në Shqipëri.
Peleshi tha se 2 satelitë do t’i bashkohen flotës dhe do të ndihmojnë për të marrë informacione që do të parandalojnë aktet kriminale. Më tej ai ka shtuar se dy satelitët Albania 1 dhe Albania 2 do të përdoren fillimisht për një periudhë 3-vjeçare.
“Sot do nënshkruhet kontrata e shërbimit satelitor në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë për monitorimin me teknologji të avancuar të territorit të Shqipërisë nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Operatorit SateLogic SHBA. Kontrata ka vlerën 6 milionë dollarë. Konsiston në përdorimin ekskluziv të dy satelitëve, fillimisht për një periudhë 3-vjeçare, për monitorimin e territorit të Shqipërisë, zhvillimin e kapaciteteve teknike, profesionale, për përdorimin e shërbimit satelitor, përpunimin e informacionit gjeohapësinor si dhe ofrimin e produkteve të imazherisë. Shqipëria do të ketë akses prioritar të dedikuar në dy satelitët që pritet t’i bashkohen flotës të SateLogic në lëshimin e saj të ardhshëm satelitor me Space X.
Satelitët do të quhen Albania 1 dhe Albania 2. Kjo do t’i mundësojë Shqipërisë marrjen e imazheve satelitore. Nuk e fillojmë nga zero. Është bërë një punë shumë e madhe deri tani. Kemi një agjenci e cila do të jetë e përfshirë në menaxhimin e imazheve për të gjitha institucionet që do të kenë nevojë. Pranë ministrisë së Mbrojtjes do të fillojë punë qendra e inovacionit ku do të ketë kërkim shkencor në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Padyshim edhe në kuadrin e projektit tonë të ri të qendrës së informacionit shërbimi satelitor do të jetë një vlerë e shtuar. Shqipëria jonë digjitale po hyn në një fazë.
Do të monitorohet rrjeti i kanaleve ujitëse, kulluese në mënyrë që të analizohet sipërfaqja e prekur. Monitorimi i burimeve ujore, për qëllime të vlerësimit të sasisë së ujit. Duke instaluar inteligjencën artificial dalin informacione të jashtëzakonshme. Është bërë një punë e madhe në kuadrin ligjor. Kemi një agjenci që do të jetë e përfshirë në dispecerinë e të gjitha imazheve që do të kenë nevojë”, tha Peleshi.