Komisioni për Ekonomi ka miratuar të enjten vendimin e Qeverisë për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë edhe për 30 ditë. Vendimi pritet të shqyrtohet po sot edhe në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ka kërkuar që të vazhdojnë edhe më tej, masat emergjente që janë marrë dy muaj më parë lidhur me krizën e energjisë elektrike.
“Duke qenë se jemi në një kohë kur moti po fillon të ftohet, dhe muajt e kaluar kemi pasur disa njësi jashtë operimit për shkak të ndërhyrjeve që duhen bërë për përgatitje për dimër kjo ka qenë arsyeja pse kemi kërkuar që të vendosen masat emergjente para dy muajve dhe po kërkojmë që këto të zgjaten duke marrë parasysh që pritet të jetë dimër i vështirë”.
Rizvanolli ka theksuar se e gjithë kriza energjetike ka ndodhur për shkak të luftës në Ukrainë.
“Evropa është duke vazhduar të kalojë në një krizë energjetike edhe më të rëndë se vitin e kaluar, për shkak të luftës në Ukrainë dhe përdorimit të burimeve të energjisë si armë nga ana e presidentit rus Vladimir Putin”, u shpreh ministrja.
Ajo tha se në kuadër të masave emergjente, janë marrë disa vendime, ku mes tyre është shfuqizuar vendimi i vitit 2018, ku ka ndaluar dhënien e thëngjillit si formë dhurate për punëtorët e KEK-ut.
“Gjatë kësaj kohe kemi marrë disa vendime në bazë të masave emergjenteve, ku përveç ndalimit të prodhimit të kriptovalutave me energji elektrike që janë marrë në vendimin e parë, vendimet tjera kanë të bëjnë me masat në vijim: janë vendosur masa detyruese për kursim të energjisë në institucione të nivelit qendror, lokal dhe ndërmarrje publike, është ndaluar eksporti dhe ri-eksporti i produkteve të drurit dhe lëndëve djegëse, është shfuqizuar vendimi i vitit 2018 për ndalimin e dhënies së thëngjillit në formë dhurate për punëtorët e KEK-ut, si dhe të gjitha këto janë bërë me rekomandim të komitetit teknik emergjent që është mbledhur rregullisht. Është marrë edhe një vendim që për qëllim të mbulimit të konsumit dhe zvogëlimit të energjisë elektrike është rekomanduar që KEK energjinë që e merr nga KESH i Shqipërisë tua ofrojë furnizuesit të shërbimit universal dhe KOSTT-it sipas kushteve të marrëveshjes për furnizim me shumicë të energjisë elektrike në përputhje me rregullat e tregut në fuqi”, u shpreh Rizvanolli.
Ministrja paralajmëroj se varësisht nga situata pritet që të merren edhe masa tjera, ku njëra prej tyre është edhe ndalimi i importit të poçeve elektrik.
“Varësisht nga situata pritet të merren masa të reja. Një ndër masat që pritet të merret së shpejti është ndalimi i importit të poçeve elektrik joefiçientë”.
Rizvanolli tha se në kuadër të subvencionimit për shtatë muaj janë paguar mbi 45 milionë euro.
“Ndërkohë po vazhdon subvencionimi i faturave të energjisë elektrike, ku deri tani për muajt shkurt deri në gusht janë paguar 46 milionë e 567 mijë e 746 euro dhe kjo do të vazhdoj edhe gjatë muajve në vijim deri në shfrytëzimin e 90 milionëshit që është zotuar në shkurt”, tha Rizvanolli.
Ajo tutje shtoi se Qeveria ka ndarë edhe 6 milionë euro me qëllim të subvencionimit të konsumatorëve fundor për zbatimin e masave për kursim të energjisë, ku skema e subvencionimit pritet të lansohet brenda dy javëve në vijim.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, tha se ndarja e këtyre mjeteve ka shkuar direkt në llogarinë e KEDS-it, siç iu referua ai kompanisë turke.
“Mjetet 70 milionë nga cila konto janë alokuar në kontot private, pra a kanë shkuar tek kompania turke. Pyetja është se nga cilat konto kanë shkuar këto mjete, nga MZh-ja apo nga ministria e Finanacave, dhe a mundesh me konfirmuar se këto mjete kanë shkuar tek kompania turke”, pyeti Shala.
Këtë e konfirmoi Rizvanolli, se mjetet e alokura kanë shkuar në llogarinë bankare të KEDS-it.
“Kompanitë që po i referoheni si turke është e vetmja që është e licencuar. Mjetet janë ndarë me vendim të qeverisë me rekomandim të MZH në llogari të konsumatorëve dhe secili prej tyre mund ta vëreje në faturën e tyre lehtë me një qasje në aplikacion. Është e vërtetë se mjetet kanë shkuar në këtë kompani sepse është e vetmja që operon në Kosovë”, tha Rizvanolli.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, tha se është kërkesa e katërt që Qeveria kërkon të zgjaten masat emergjente.
Për këtë, Lekaj tha se masat Ad-hoc nuk prodhojnë zgjidhje.
“Ajo që e dimë është se po hyjmë Janë të pamjaftueshme sepse nuk e di sa keni i formacione se qytetarët në Kosovë ballafaqohen me mungesë të energjisë elektrike, në çdo komunë ka probleme. Është kërkesa e katërt që ju kërkoni të vazhdohet masa emergjente dhe sa i përket këtyre masave, nuk e di se a mendoni se zgjidhjet të bëhen ad-hoc, dhe nëse ju nuk keni ndërmarr vendime, ne do të hyjmë në një krizë tjetër energjetike. Deri në 1 mijë euro është menduar dhe po flitet që të rritet MGW”, u shpreh Lekaj./Monitor