Rezart Balesi, është vënë nën hetim për pastrim parash në Fier, pasi u kap me 44 mijë paund dhe 3 mijë euro në makinë.
Burime për median bëjnë me dije se 40-vjeçari, nuk kishte dokumentacion që vërteton burimin e ligjshëm të tyre, për këtë arsye dyshohet se paratë janë përfituar nga aktivitete kriminale.
Njoftimi i policisë
Iu gjetën në automjet dhe iu sekuestruan 44 000 paund dhe 3 000 euro, të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale, procedohet penalisht 40-vjeçari.
Në vendin e quajtur “Poçem”, u ndalua nga shërbimet e Policisë Fier, automjeti tip “Benz” me drejtues shtetasin R. B. Gjatë kontrollit në këtë automjet, u gjetën 44 000 paund dhe 3 000 euro, për të cilat ky shtetas nuk kishte dokumentacion që vërteton burimin e ligjshëm të tyre dhe për të cilat dyshohet se janë përfituar nga aktivitete kriminale.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Fier referuan materialet dhe nisi procedimi penal për shtetasin R. B., 40 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shumat e parave, 2 aparate celulare dhe automjeti me të cilin udhëtonte ky shtetas.
Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të burimit të të ardhurave të shtetasit R. B., si dhe nëse ky shtetas është i implikuar në veprimtari kriminale.