Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është takuar të premten me të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, për të diskutuar vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe çështje tjera rajonale.
Sipas një komunikate të lëshuar pas takimit, dy zyrtarët është thënë se kanë diskutuar për rëndësinë e vazhdimit të dialogut, si dhe për rëndësinë e përgatitjes për takime në kuadër të Procesit të Berlinit.
Procesi i Berlinit është iniciuar më 2014 me qëllim të krijimit të lidhjeve më të fuqishme mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo iniciativë udhëhiqet nga Gjermania dhe përfshinë, Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje-Hercegovinën.
Vuçiç ka thënë se ‘Serbia vlerëson dhe mbështet Procesin e Berlinit, si format që shërben si shtysë konkrete për integrimin evropian në Ballkanin Perëndimor”.
Sipas tij, “Serbia është e përkushtuar për dialog politik, si rrugën kryesore për zgjidhje të të gjitha sfidave në Ballkan, mirëpo do të vazhdojë të mbrojë integritetin territorial dhe sovranitetin derisa respekton edhe ligjin ndërkombëtar”.
Më 18 shkurt të këtij viti, Qeveria gjermane ka emëruar Sarrazin-in si të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor.
Ai është zyrtari i parë gjerman që mban një pozitë të tillë në Qeverinë gjermane. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011.
Kosova insiston që dialogu duhet të finalizohet me njohje reciproke, derisa Serbia kërkon zgjidhje kompromisi./REL