Gjykata e Posaçme dënoi me 2 vite burg ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Gjithashtu i është konfiskuar edhe një apartament dhe 4 prona.
Prej shkurtit 2018, Llalla është pjesë e listës së zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit, që i ka ndaluar hyrjen në SHBA atij dhe familjarëve.
Më herët, përmes avokatit të tij, Llalla kërkoi të shpallet i pafajshëm për akuzën. Sipas Sokol Hazizajt, çështja ndaj Llallës është e paragjykuar, e njëanshme, e padrejtë dhe e paligjshme.
Adriatik Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar dhe u zëvendësua nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku.
Hetimi ndaj Llallës u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave. Ai u hetua edhe për veprën penale të “mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”.
Më pas, dosja u dërgua në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në korrik 2018, gjykata respektive vendosi sekuestron e pronave të ish-Prokurorit të Përgjithshëm. Në një njoftim për shtyp të atëhershëm, Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur se Llallës iu vendosën nën sekuestro një apartament 67 metra katrorë në Durrës dhe katër parcela toke me sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 22 mijë metrash katrorë në periferi të Tiranës.
Megjithatë, akuzat u rrudhën dhe SPAK njoftoi të më 9 mars përfundimin e hetimeve vetëm për veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer tri herë.