Si nëpër filma/ 30-vjeçari shqiptar mbahej peng nga kriminelët, kërkonin 400 mijë paund për lirimin e tij

Një 30-vjeçar i cili ishte marrë peng nga disa persona në Angli është liruar këtë të dielë.

Mësohet se shqiptari mbahej peng nga kriminelët, të cilët kërkonin 400 mijë paund në këmbim të lirimit të tij.

Sakaq kanë rënë në pranga 7 persona dhe po punohet për kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

I riu ndodhet tashmë i sigurt nën mbrojtjen e policisë britanike.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet një tjetër operacion policor ndërkombëtar, për lirimin e një personi të marrë peng nga disa persona të tjerë. Operacioni policor i koduar “Pengu”, u zhvillua nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Metropolitan Police dhe asistencën e NCA-së Britanike.

Shkëmbimi në kohë i informacionit bëri të mundur gjetjen dhe lirimin e 30-vjeçarit nga Shqipëria, i cili ishte marrë peng në Angli, nga shtetas shqiptarë te evidentuar si persona me rekorde kriminale ne Angli. Policia britanike ka vënë në pranga 7 shtetas shqiptarë dhe vijon operacioni për kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Strukturat hetimore të Policisë së Shtetit kanë marrë informacion se një 30-vjeçar shqiptar, ishte marrë peng në Angli nga persona, me aktivitet kriminal, të cilët kërkonin 400 mijë paund në këmbim të lirimit të tij. Policia e Shtetit shkëmbeu menjëherë me Policinë Britanike, informacionin e marrë, falë të cilit, Policia britanike zhvilloi operacionin policor të koduar “Pengu”. Në kuadër të operacionit u bë e mundur gjetja dhe lirimi i personit të marrë peng, i cili tashmë ndodhet i sigurtë pranë autoriteteve policore britanike. Po në kuadër të operacionit u vunë në pranga 7 shtetas shqiptarë që kishin marrë peng 30-vjeçarin. Operacioni është në vijim dhe për këtë arsye nuk bëhen publike të dhënat e personit të marrë peng dhe të personave të arrestuar, deri në përfundim të operacionit.

Finalizimi i këtij operacioni është rezultat i bashkëpunimit shumë të mirë ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Autoriteteve Ligjzbatuese Britanike.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *