Një 24-vjeçar është arrestuar në Kukës, pasi u kap me mallra të padeklaruar.
Shtetasi me iniciale A.P., akuzohet për veprën penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, .
Sakaq uniformat blu kanë sekuestruar në automjetin e të riut 76 pako me fishekzjarrë dhe veshje të ndryshme të padeklaruara.
Njoftimi i policisë:
Morinë, Kukës/Vijojnë kontrollet intensive, për goditjen e veprimtarive kriminale në kufi.
Tentoi të kalonte kufirin, me lëndë piroteknike dhe mallra të padeklaruara, arrestohet në flagrancë 24-vjeçari.
Sekuestrohen 76 pako me fishekzjarrë dhe veshje të ndryshme.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërive në kufi, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin A. P.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 76 pako me fishekzjarrë dhe veshje të ndryshme, të padeklaruara.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar të DVP Kukës arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, shtetasin A. P., 24 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.