Këshilli Bashkiak i Vlorës është kthyer sërish në arenë beteje mes drejtorëve të bashkisë dhe këshilltarëve bashkiak. Shkak është bërë relacioni i indikatorëve të monitorimit të zbatimit të buxhetit për vitin 2022.
Sipas këshilltarëve bashkiakë, shqetësimi i tyre lidhet me mos derdhjen e të ardhurave të periudhës nga Qershori të të ardhurave të gjeneruar nga Ujësjellësi në cilësinë e agjentit tatimor. Llogaritë e këtij institucioni janë bllokuar nga përmbarimi si pasojë borxhit ndaj OSHEE.
“Ndërkohë që ti ke borxhin e vitit që ka kaluar dhe nuk je në gjendje të shlyesh këto borxhe të paktën të shlyhen në vitin e ardhshëm. Janë 1.4miliardë lekë të cilat vijnë nga tarifat e taksat të pasurisë së paluajtshme, dhe nuk i vijnë bashkisë”- tha Grigor Dede, anëtar i Këshillit Bashkiak të Vlorës.
Ndër të tjera realizimi i ulët shihet si problematik. Ujësjellësi ka arritur të arkëtojë vetëm 56% të të ardhurave. Ndërsa ka zëra me të ardhura “0” që janë detyrim i njësive administrative.
“Administrata duhet të bëjë një ose dy variante të tjera për të realizuar mbledhjen e këtyre taksave”- u shpreh Kasëm Mahmutaj, anëtar i Këshillit Bashkiak të Vlorës, Bindja Demokratike. Drejtori i Financave në Bashki, Daut Zëraj nuk arriti të bindë këshilltarët për mungesën e realizimit dhe strategjitë konkrete që do të nxjerrë nga kolapsi institucionin.
“Ne ecim paralelisht shpenzimet me të ardhurat”- theksoi Daut Zëraj, Drejtor i Financave në Bashkinë Vlorë
Performancë më të lartë kanë pasur arkëtimet nga administrata tatimore e bashkisë. Të ardhurat e saj aktualisht po përdoren për investime dhe shpenzimet e parashikuara në buxhet. Sakaq, kryetari i Bashkisë prej 1 viti e gjysmë nuk ka marrë pjesë në asnjë mbledhje të këshillit./euronews