Bashkimi Europian nuk ka ende ndonjë vendim për të aplikuar procedurën që ndjek SHBA apo Mbretëria e Bashkuar për sanksionimin e personave të caktuar, duke i shpallur ata “non grata”. Të paktën ambasadorja e re e BE në Tiranë, Christiane Hohman, nuk ka dijeni për një vendimarrje të tillë.
“Unë nuk kam dijeni se është ndërmarrë ndonjë vendim për këtë çështje.”
Pyetja drejtuar ambasadores Hohman është nxitur nga deklaratat e kreut të grupit kuvendor socialist në parlament, i cili iu drejtua Sali Berishës se shumë shpejt do të shpallej “non grata” dhe nga BE, madje duke sqaruar përpara gazetarëve se është depozituar një iniciativë e tillë në Parlamentin Europian për të patur një koordinim mes SHBA dhe BE për personat e shpallur “non grata”.
Por Hofman shpjegon se mbetet në vlerësimin e çdo shteti në mënyrë të pavarur për një ndërmarrje të kësaj natyre.
“Ky është vendim që i përket shteteve anëtare ndaj nuk mund të flas në emër të tyre.”
Ambasadorja pranon të komentojë dhe ecurinë e procesit screening që e vlerëson se po ecën me hapat e duhura, por hapja e kapitujve me vendin tonë për shkak të volumit që ka skanimi i legjislacionit nuk parashikohet të nisë përpara fillimit të 2024./klan