Situata problematike e krijuar nga pandemia detyroi Ministrinë e Arsimit të merrte vendimin për zhvillim të mësimit online. Sot, studentët e Fakultetit të Ekonomisë, i kanë drejtuar një letër Ministres së Arsimit Evis Kushi, duke i kërkuar ulje të tarifave të këtij viti akademik, duke argumentuar se ato nuk kanë qenë prezent në auditor dhe se gjithashtu kanë qenë të detyruar të paguajnë çdo muaj abonimin e internetit.
Ata nxisin Ministren për rishikim të tarifave për të gjithë studentët edhe për faktin se mësimi online i zhvilluar nuk ka qenë i cilësisë së duhur, pasi ka rezultuar i paplotë për shkak të kushteve mësimore jo të përshtatshme. Një tjetër pikë që Ministrja duhet të marri parasysh është edhe fakti që familjet u prekën ekonomikisht nga pandemia, duke humbur punën e tyre.
Letra e plotë e studentëve, drejtuar ministres Evis Kushi
“Drejtuar: Znj, Evis Kushi, Ministre e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve
Duke marrë shkas nga një njoftim i bërë publik në faqen e Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, në lidhje me mandat-pagesat e tarifave të studimit, konstatojmë se ky është një njoftim i nxituar dhe i pakonsultuar për mundësinë e rishikimit të tarifave të studimit.
Nisur nga kushtet në të cilat shkoi ky vit mësimor, ne e shohim të udhës që tarifat e studimit të të dyja cikleve të studimit Bachelor dhe Master të përgjysmohen pa dallim për të gjithë studentët.
Këtë kërkesë ne e bazojmë dhe argumentojmë duke sjellë në vëmendje cilësinë e shërbimit të mësimdhënies online. Për ne është e papranueshme që të paguajmë tarifa të plota studimi, për një vit akademik kur:
1- Shumë familje u prekën ekonomikisht nga pandemi, duke humbur edhe punën e tyre. Në mungesë të të ardhurave, bëhet e pamundur pagesa e plotë e tarifës së studimeve.
2-Gjithë vitin akademik nuk kemi qenë në auditore dhe jemi detyruar të paguajmë paketa interenti për të patur akses në mësimin online, dhe përsëri ka qenë e pjesshme.
3- Krahasimisht me procesin mësimor në auditore, mësimi online ka qenë diskriminues dhe i paplotë.
Bazuar në argumentet e parashtruara më sipër ne kërkojmë që Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në bashkëpunim me instancat e tjera të Arsimit të Lartë përgjegjëse për administrimin e buxhetit të bëjnë të mundur përgjysmimin e tarifave të studimit për të dyja ciklet Bachelor dhe Master për këtë vit akademik.
Në pritje të përgjigjes tuaj.”