Mesfushori i Kombëtares kuqezi, Nedim bajrami, nuk kishte marrë vëmendjen e duhur në përfaqësuese për shkak edhe të një dëmtimi fillimisht, por edhe një starti disi të përgjumur të sezonit me Empolin, por një lojtar i madh e tregon veten pikërisht në ndeshjet e mëdha. Kështu, Nedim Bajramit iu deshën vetëm pak minuta në fushë me Empolin, për të shënuar një gol fantastik në portën e Milanit, në ndeshjen e Serie A të shtunën në mbrëmje. Mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë ekzekutoi një goditje dënimi në mënyrë perfekte, duke barazuar rezultatin në kohën shtesë, megjithatë supergoli i 23-vjeçarit nuk i mjaftoi Empolit për të marrë qoftë edhe një barazim ndaj kuqezinjve, të cilët shënuan dhe dy herë në sekondat në vijim duke i prishur festën Bajramit. Goli i parë për këtë sezon për mesfushorin i cili pavarësisht cilësive që zotëron trajneri ka vendosur ta ulë në stol, ndikuar dhe nga situata e krijuar në verë kur Bajrami ishte shumë pranë kalimit të Fiorentina, diçka që u tentua deri në limite por në fund nuk u realizua. Milani është një “preh” e preferuar për futbollistin kuqezi, pasi ky është goli i dytë që shënon në portën e skuadrës nga Milano, teksa një nga gjashtë golat që shënoi edicionin e shkuar e regjistroi ndaj kuqezinjve të Italisë. Goli ndaj Milanit është një sinjal i qartë se meriton më shumë hapësirë, duke treguar se mund ta ndihmojë shumë skuadrën pasi krahas golit pati dhe të tjera mundësi për të shënuar. Mbetet për t’u parë nëse pas këtij goli do të ndryshojë situata dhe Bajrami të marrë vendin e tij në mesin e fushës së Empolit, apo do të presë janarin për të konkretizuar një lëvizje të mundshme drejt Fiorentinës. Në miqësoret e nëntorit Bajrami duhet të dëshmojë se edhe në Kombëtare është në gjendje të bëjë diferencën, pasi deri tani Reja nuk ka mundur t’i marrë maksimumin lojtarit.
Bajrami është “regjisor” i Empolit, supergol i tij ndaj Milanit mjaft i klikuar
Leave a comment