Sektori bankar ka ristrukturuar rreth 6.3 miliardë lekë kredi në dymbëdhjetë muajt e fundit, nga të cilat 2 miliardë lekë ishin kreditë e ristrukturuara gjatë gjysmës së parë të vitit 2022.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë një rënie të risturkturimeve gjatë këtij viti, ndoshta edhe për shkak të përfundimit të lehtësive rregullatore që u miratuan pas shpërthimit të pandemisë.
Këto lehtësi, që ishin në fuqi deri në fund të vitit 2021, nuk u kërkonin bankave që të klasifikonin kreditë e ristrukturuara si kredi me probleme, ndryshe nga kërkesat rregullatore normale, që u rikthyen në fuqi nga fillimi i këtij viti.
Kredia e ristrukturuar gjatë vitit të fundit ishte sa 1% e tepricës së përgjithshme të kredisë dhe sa 17% e stokut të kredive me probleme. Gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit, rreth 60% e ristrukturimeve kanë ndodhur kryesisht për portofolin e kredive me probleme.
Mbi 80% e kredisë së ristrukturuar është kredi e marrë nga bizneset, kryesisht ato të mëdha.
Në tepricën e kredisë së marrë nga bizneset, kredia e ristrukturuar gjatë periudhës korrik 2021-qershor 2022 zë rreth 1.2%, ndërkohë që kredia e ristrukturuar për individët ishte sa 0.4% e tepricës së kredisë për sektorin e individëve.
Nga sektorët e ekonomisë sipas llojit të aktivitetit, sektori i industrisë është sektori që ka paraqitur kërkesën më të lartë për ristrukturim kredish gjatë 12 muajve të fundit.
Bizneset kredimarrëse nga sektori i industrisë kanë ristrukturuar rreth 4% të stokut të përgjithshëm të kredisë dhe kredia e ristrukturuar për këtë sektor ishte sa rreth 40% e gjithë vëllimit të kredive të ristrukturuara nga sektori bankar gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit.
Rreth 50% e vëllimit të ristrukturimeve nga bizneset e industrisë është kryer kryesisht në portofolin e kredive të klasifikuara si kredi “e humbur”. Kërkesë për ristrukturim nga sektori i industrisë ka pasur edhe për kredinë e klasifikuar “standard”, e cila zë 26% të ristrukturimeve të kryera nga ky sektor vitin e fundit.
Dy sektorë të tjerë me peshë të konsiderueshme në vëllimin e kredive të ristrukturuara gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit ishin sektori i turizmit dhe ai i tregtisë, secili me 17%, që kryesisht kanë kërkuar të ristrukturojnë kredi me probleme.
Tregtia është sektori me peshën më të madhe në stokun e kredive me probleme për bizneset vendase, ndjekur nga sektorët e industrisë dhe turizmit. Megjithatë, cilësia e kredisë për këta sektorë është përmirësuar ndjeshëm, çfarë ka dhënë kontributin kryesor në ecurinë e cilësisë së kredisë për bizneset vendase gjatë vitit.
Mbi 70% e vlerës së kredive të ristrukturuara përfaqësohet nga kredi në monedhë të huaj.
Kreditë e prekura nga ristrukturimi gjatë gjysmës së parë të vitit kanë qenë në pjesën më të madhe kredi të klasifikuara si kredi standarde, ndërkohë që në gjysmën e dytë të vitit 2021, ristrukturimet kanë prekur më së shumti stokun e kredive të humbura.
Kreditë e ristrukturuara për portofolin e kredisë “së humbur” ishin sa 12% e tepricës së përgjithshme të kredive të humbura. Për dy klasat e tjera të kredive me probleme, atë “e dyshimtë” dhe “nënstandard”, ristrukturimet gjatë vitit të fundit ishin sa 3% dhe 11% e stokut të kredisë. Vlera e ristrukturimeve për kreditë me probleme ishte sa 60% e fluksit vjetor të ristrukturimeve, rreth 4 miliardë lekë dhe sa 10% e tepricës së kredive me probleme regjistruar në qershor 2022.
Format kryesore të ristrukturimit të përdorura nga bankat janë zgjatja e afatit të maturimit, kapitalizimi i interesit ose kamatvonesave, ndryshimi i produktit të kredisë, ndryshim i principalit, dhe caktimi i një periudhe faljeje për principalin ose interesin e kredisë.
Gjatë tremujorëve të fundit të vitit 2021, ristrukturimi i kredisë është bërë kryesisht në formën e zgjatjes së afatit të maturimit, ndërsa gjatë gjysmës së parë të vitit 2022 klientët kanë kërkuar kryesisht ndryshim të produktit të kredisë.
Kjo formë ristrukturimi përbën rreth 44% të fluksit të ristrukturimeve në 2022. Pjesa tjetër e ristrukturimeve është kryer duke ndryshuar principalin, nëpërmjet kapitalizimit të interesit ose kamatëvonesave, si dhe duke falur për një periudhë kohe principalin ose interesin./Monitor