Formacioni/ Mbyllet java e 6 në Superligë, lojtarët dhe trajneri fitues

Superliga shqiptare mbylli dje javën e gjashtë. Në pesë duele u shënuan tetë gola, me ndeshjen derbi mes Partizanit dhe Tiranës që foli për bardheblutë 0-2.

Në sfidat e tjera, Bylis mposhti 4-1 Erzenin, ndërsa Kukësi fitoi në transfertën e Laçit 0-1. Teuta – Vllaznia dhe Egnatia – Kastrioti u mbyllën me rrjeta të paprekura.

Në bazë të paraqitjeve në fushë, Newsport.al po sjell edhe formacionin më të mirë të javës që lamë pas.

FORMACIONI/ Bekaj; Ismajlgeci, Janku, Ferreira, A. Trumci; Gj. Taipi, Karakaçi, Aleksi; Barbosa, Xhixha, Kaçorri Trajner: Orges Shehi

Visar Bekaj (Tirana) – Gardiani ishte njeriu që mbajti në lojë bardheblutë, duke treguar se është ndër lojtarët më të mirë në Shqipëri sa i takon portës. I qetë dhe i saktë në lojën me këmbë, Bekaj edhe njëherë u kthye në sigurinë e 26 herë kampionëve të vendit.

Aleksandër Trumci (Bylis) – Kapiteni i ballshiotëve edhe njëherë tregoi se është i duhuri për krahun e djathtë. I shpejtë dhe i saktë në veprime, Trumci për të dytën herë në gjashtë javë është pjesë e më të mirëve, duke merituar nofkën “Dani Alves” i Superligës.

Marsel Ismajlgeci (Tirana) – Kapiteni u fut në fushë edhe pse pak orë më parë gjyshi i ndërroi jetë. Përgjegjësia për derbin me Partizanin ishte maksimale, me mëngjarashin e mbrojtjes që zhvilloi minuta të mira me bardheblutë.

Stiven Janku (Bylis) – Shtatëlarti i Bylis i shërbeu trajnerit Bellai në prapavijë. I fortë në luftën në ajër dhe i vendosur mirë në ndërhyrje, Janku meriton një vend në 11 më të mirët.

Tiago Ferreira (Kukësi) – Portugezi i Kukësit bëri një 90 minutësh të mirë në fitoren kundër Laçit. Shtatëlarti u tregua i saktë në ndërhyrje, duke bërë që Dobi t’i besojë rolin e liderit të prapavijës së bashku me Ilieskin.

Abaz Karakaçi (Kastrioti) – Kapiteni i krutanëve edhe njëherë tregoi lidership në mesin e fushës, duke u bërë lidhja mes reparteve. Me udhëzimin e Çelës, shkodrani luan më i tërhequr duke munguar në goditjet e portës kundërshtare.

Gjelbrim Taipi (Kukësi) – I madhi i vëllezërve Taipi edhe këtë herë u tregua kamerier, duke qenë njeriu asist në golin e fitores nga Barbosa. Kapiteni është njeriu që mban peshën më të madhe te Kukësi, teksa loja e tij ndërtuese nuk është vendosur në diskutim.

Albano Aleksi (Tirana) – Mesfushori i Tiranës u bë “xholi” i Shehit pas daljes me karton të kuq të Lulaj. I afruar merkaton e verës, Aleksi është kthyer në pikën e fortë të Tiranës në disa pozicione.

Gabriel Barbosa (Kukësi) – Njeriu gol i Kukësit. Pas realizimit në Kupë kundër Labërisë, 23 vjeçari i dha tri pikë verilindorëve në transfertën e Laçit. I fortë në ajër, Barbosa mori kohën e mbrojtjes kurbinase për golin me vlerën e tri pikëve.

Redon Xhixha (Tirana) – Gjashtë ndeshje dhe shtatë gola. Xhixha është njeriu i momentit te Tirana. Sulmuesi ka marrë përdore kampionët dhe me largimin e Seferit është kthyer lojtari kyç në grup. Dopieta në derbin me Partizanin ka bërë që Xhixha të lakohet edhe me një ftesë në Kombëtare.

Luis Kaçorri (Bylis) – Sulmuesi i Bylis realizoi një nga katër golat në fitoren 4-1 me Erzenin. 24 vjeçari luan në majën e sulmit, me Ballain që mund ta përdorë në disa pozicione. Me karrierë të pasur në Itali, Kacorri po tregon cilësi këtë sezon në Superligë.

Trajner: Orges Shehi (Tirana) – Derbi është për t’u fituar. Durrsaku mori një tjetër tri pikësh në përballjen me Partizanin, duke merituar vendin në pankinën e javës. Tirana e tij për 60 minuta luajti me një lojtar më pak, duke dalë në fund me kokën lart nga “Air Albania”.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *