Nga Dea Dervishi
Motorët e fushatës për zgjedhjet vendore janë ndezur por në terren nuk ka përballje për programet apo platformat më të mira, Partia Demokratike me luftën brenda llojit po ja lehtëson punën kampit kundërshtar (PS-së).
Ndërkohë me rëndësi është përzgjedhja e kandidatëve. Por me një PD siç e do armiku është utilitare që kandidatët për kryetar Bashkie të jenë mbi palët.
Në një intervistë për Priza.al deputetja demokrate Dhurata Çupi është shprehur se duhet lënë mënjanë krenaria personale sepse qytetarët kanë nevojë që bashkitë t’ua kthejnë demokratëve.
“Ka një përgjegjësi ndaj demokrateve që të jemi bashkë në zgjedhjet vendore. Qytetarët presin një kandidat që ti përfaqësojë ata. Dhe ky s’mund të jetë më kandidaturë e PS. Ata e kanë treguar që nuk qeverisin për qytetarët. Dhe alternativa e vetme për të drejtuar bashkitë janë kandidatët e propozuar nga opozita. Duhet lenë mënjanë krenaria personale. Demokratet meritojnë të bëhemi bashkë për t’ju kthyer bashkitë demokratëve dhe qytetarëve” u shpreh Çupi
Pavarësisht thirrjes së grupimit të Enkelejd Alibeajt për të bashkuar bazën me kandidatë mbi palët, PD e Berishës ka shtruar në tavolinë ftesën për tu bashkuar dhe shkrirë dhe grupimi i Alibeajt të jetë nën degë, por ky arsyetim nuk është pranuar.
Çupi sqaron se aktualisht është i rëndësishëm qëllimi i mire i të gjithëve për t’u bashkuar. Rrugët, format e mënyrat gjenden.
Deputetja e PD ngulmon se partia blu mund të marri më shumë bashki vetëm nëpërmjet një mënyre, duke nxjerr kandidatë mbi palët me figura intelektuale, modele qytetare dhe duke bërë diferencën nga Partia Socialiste.
“E rëndësishme sot është qëllimi i mirë i të gjithëve për t’u bashkuar. Rrugët, format e mënyrat gjenden. Bashkimi me një strategji të studiuar elektorale dhe propozimet e figurave përfaqësuese , intelektuale, modele qytetare për drejtimin e bashkive duke treguar që jemi ndryshe nga PS dhe qeverisja e tyre e korruptuar” u shpreh Çupi
Nga ana tjetër Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një konferencë për media në datë 27.09.2022 ka thënë se kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet vendore.
Ai gjatë fjalës së tij i ka bërë një ftesë publike duke thënë se PL është e gatshme të punojë me PD dhe të dalin me kandidatë të përbashkët. Ndër të tjera ai është shprehur se synimi është që opozita të fitojë.
Fitorja e opozitës është objektivi ynë. Dhe në ketë fakt ne jemi të hapur për të bashkëpunuar me PD dhe për të zgjedhur kandidatët më të mirë.
Në mënyrë të padiskutueshme e kam thënë dhe më përpara që idea është fitorja e opozitës dhe rivendosje e demokracisë. Po opozita do dalë në të gjithë Shqipërinë bashkë me kandidatë të përbashkët dhe kjo është më e mira për situatën” tha Meta.
Por nëse asnjë nga thirrjet e mësipërme nuk kryet populli do të jetë përball shumë kandidatëve, duke u bërë e vështirë për opozitën dhe qytetarët gjithashtu. Historia ka treguar se gjithmonë ajo parti që ka marr shumicën e bashkive është predispozuar të fitoj edhe zgjedhjet parlamentare duke “paracaktuar” fitoren që me zgjedhjet e bashkive.
Në këtë rast situata komplikohet pasi brenda opozitës ka një luftë të fortë se cili do të dominoi dhe cili do të marr timonin e opozitës dhe më pas do të mendohet për timonin e qeverisjes
Intervista e plotë
Ka ndonjë tentative qe të dy grupimet Alibeaj dhe Berishë të bashkohen për të nxjerr kandidatët për kryetar Bashkie?
Ka një përgjegjësi ndaj demokrateve që të jemi bashkë në zgjedhjet vendore. Qytetarët presin një kandidat që ti përfaqësojë ata. Dhe ky s’mund të jetë më kandidaturë e PS. Ata e kanë treguar që nuk qeverisin për qytetarët. Dhe alternativa e vetme për të drejtuar bashkitë janë kandidatët e propozuar nga opozita. Duhet lenë mënjanë krenaria personale. Demokratet meritojnë të bëhemi bashkë për t’ju kthyer bashkitë demokratëve dhe qytetarëve.
Si e shihni ftesën e Ilir Metës për të dal me një kandidatë? Ky opsion sa i mundshëm është?
Unë flas për PD. Opozita është Partia Demokratike e para. Pa dyshim që të gjithë bashkë si opozitë mund të arrijmë fitore në shumë bashki, përfshirë aleatët tradicionale të PD dhe partitë e tjera që sot ndodhen në opozitë.
Nëse lihen mënjanë inatet dhe interesat personale, bashkimi është i mundur dhe kam bindjen që edhe sjell fitoren e opozitës. Kjo fryme duhet të na udhëheq të gjithëve. Bashke për demokratët dhe interesat më të mira të tyre
Mendoni si strategji mbledhjen e shtabeve të përbashkëta dhe më pas propozimin e kandidateve mbi palët?
E rëndësishme sot është qëllimi i mirë i të gjithëve për t’u bashkuar. Rrugët, format e mënyrat gjenden. Bashkimi me një strategji të studiuar elektorale dhe propozimet e figurave përfaqësuese , intelektuale, modele qytetare për drejtimin e bashkive duke treguar që jemi ndryshe nga PS dhe qeverisja e tyre e korruptuar.
Në këto kushte që është PD sot si do te arrihet bashkimi i bazës?
Bashkimi mund të arrihet duke shmangur qasjet personale dhe duke mbajtur në vëmendje vetëm demokratet dhe interesat e tyre. Unë jam e sigurte që në zgjedhjet vendore do të jemi bashkë duke shfrytëzuar çdo mjet e çdo mënyrë përbashkuese/Priza.al