Venera Lumani dhe Lindi Islami janë një prej çifteve më të njohur të showbiz-it shqiptar, nisur nga këngët dhe arti që bëjnë, po ashtu edhe një prej dysheve muzikore më të pëlqyera nga publiku, e që në fakt janë në prag të një prej arritjeve të tyre më të mëdha: realizimin e një koncerti recital. Pikërisht për këtë, artistët kanë folur në podcast-in e Mira Kazhanit, në episodin që mban emrin “Këngëtar lind nuk bëhesh”, ku po ashtu kanë ndarë mendimin e tyre edhe për gjendjen e tregut muzikor sot.
Për Venerën, nuk duhet të ekzistojë përcaktimi që bëhet tani për këngëtarët, ku cilësohen me termin: “shet apo nuk shet”. Ajo tha se e kupton që ata mund të shesin performanca në club-e apo klikime, por jo koncerte apo muzikë të mirë, ndoshta pasi nuk përballojnë dot as këndimin “live”, ndërsa i duket e pakonceptueshme që një artist mund të cilësohet në të tillë mënyrë. Nga ana tjetër këngëtarja tha: “Jam e bindur që edhe për mua e Lindin thonë kështu, janë të mirë, bëjnë muzikë të mirë, por nuk shesin”, ndërsa rrëfeu se këtë gjë e përjeton emocionalisht dhe nuk i pëlqen aspak.
Më gjakftohtë për këtë është Lindi, i cili për muzikën që bëhet sot, e sidomos për shifrat që paguhen për 20 minuta performancë ata që “sheshin”, tha se ndodh pasi edhe ata investojnë në videoklipe, në menaxherë e detaje të tjera e në fund produkti i tyre paguhet, teksa tregoi se e beson dhe e kupton atë që po ndodh me muzikën në Shqipëri sepse e tillë është koha dhe gjenerimi i parave, është ajo çka vlerësohet më shumë.
Partnerja e tij, dukshëm më e investuar dhe e revoltuar në këtë bisedë, pasi siç tha ajo të qënit artiste është profesioni i saj primar duke qenë se është edukuar që e vogël në këtë fushë, po ashtu e gjen të pakuptueshëm faktin që këta këngëtarë paguajnë dhe kujdesen për çdo detaj, për të bërë zhurmë e për të fituar vëmendje dhe vetëm për muzikën që bëjnë jo.