Interi do të përballet sonte në mbrëmje me Barcelonën në ndeshjen e tretë në grup në Ligën e Kampioneve. Dhe “surpriza” e formacionit të Inzagit do të jetë prania në fushë nga minuta e parë e mesfushorit të Kombëtares sonë, Kristjan Asllani. Ai do të zëvendësojë të dëmtuarin Marselo Brozoviç. Një detyrë aspak e lehtë, por elbasanasi nuk i trembet.
Provën gjenerale para Champions-it e dha kundër Romës. Përtej rezultatit dhe humbjes së Interit, mesfushori ynë fitoi vlerësimet pozitive të mediave dhe opinionistëve sportivë në Itali.
Për mesfushorin 20-vjeçar nuk po flasin vetëm mediat italiane. “Fama” e tij ka mbërritur edhe në Spanjë, me gazetën e Madridit “AS”, që i ka kushtuar një speciale në prag të sfidës mes Interit dhe Barcelonës sonte në mbrëmje në “San Siro”.
Kristjan Asllani është vetëm 20-vjeç, teksa iu bashkua në verë Interit. Kanë mjaftuar pak muaj zikaltër që ai të fitojë zemrat e tifozëve të Interit. Mesfushori shqiptar i lindur në Elbasan ka treguar se është i aftë të përshtatet në disa pozicione në mesfushë.
Në takimet e fundit po luan si një mesfushor i orientuar nga detyrat e mbrojtjes.
Ai mbërriti tek Interi për të qenë pasuesi i Marselo Brozoviçit dhe ai po mundohet të shfrytëzojë shansin e dhënë. Dëmtimi i kroatit i ka hapur rrugë aktivizimit të tij.
Titullar në fundjavën që lamë pas ndaj Romës, ai pritet të jetë në fushë nga minuta e parë edhe kundër Barcelonës. Asllani është një tjetër lojtar me rrënjë emigrantësh që ka mundur të bëjë karrierë të rëndësishme në Itali, aty ku shumë vite më parë familja e tij mbërriti për të siguruar një jetë më të mirë.
Babai i tij, Gentjani, punonte me një makinë transporti, por edhe ai si shumë shqiptarë të tjerë, vendosi t’i hipte anijes nga Vlora për në Leçe për të zbarkuar në Itali me pritshmëri më të mëdha se Shqipëria që po linte pas.
Pasi punoi në Rimini e Piza dhe fitoi disa para, ai u kthye në familjen e tij. Kristjan Asllani “shkeli” për herë të parë në Itali kur ishte vetëm 16-muajsh (babai nuk e kishte parë të lindte).
Ai nisi të luante futboll kur ishte 5-vjeç me skuadrën e vogël të Butit, fshatit ku jetonte. Skuadrat inferiore të Fiorentinës trokitën në derën e tij, por ai vendosi të kalonte tek Empoli, ku luante një nga lojtarët e rëndësishëm të Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj.
Hysaj është një pikë referimi për Asllanin dhe ai nuk e ka fshehur: “Është një lider dhe gjithnjë kam dashur të ecë në gjurmët e tij”.
Kjo e ka ndihmuar të bëjë hapa përpara dhe të krijojë një trashëgimi shqiptarësh tek Empoli, ai, Hysaj, Bajrami…
Për të qendruar te Shqipëria, Asllani refuzoi Federatën Italiane për t’i qendruar besnik origjinës së tij dhe tani numëron 5 takime me Shqipërinë A, ku debutimin e bëri në Spanjë, dhe më saktë akoma në Barcelonë.
Pas një sezoni të shkëlqyer me Empolin, Interi vuri bast të madh për të, duke e huazuar nga Empoli me opsionin për ta blerë për 14 milionë euro. Barcelona, sonte në mbrëmje do të jetë vitrina e parë e madhe e karrierës së tij./Panorama Sport