Tre persona janë arrestuar në Durrës, pasi u kapën me armë pa leje.
Shtetasit Rei Nozlli, Endri Bruçi dhe Ermal Meta akuzohen për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Uniformat blu kanë sekuestruar 2 armë zjarri pistoleta, 1 krehër pistolete dhe municion luftarak.
Njoftimi i policisë:
Durrës/Vijojnë kontrollet “blic”, për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Finalizohet nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, operacioni policor i koduar “Mbikalimi”.
Lëviznin me 2 armë zjarri pistoleta të gatshme për qitje, vihen në pranga 3 shtetas dhe sekuestrohen armët e zjarrit.
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, si rezultat i kontrolleve intensive “blic” në çdo aks të qarkut, si dhe bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Mbikalimi”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
– R. N., 24 vjeç, E. B., 22 vjeç dhe E. M., 27 vjeç, të tre banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me të cilin lëviznin këta shtetas, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 armë zjarri pistoleta, 1 krehër pistolete dhe municion luftarak.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme procedurale.