Rilindja urbane e Edi Ramës/ Si klientët e qeverisë gëlltitën 2 miliard euro!

Sapo erdhi në pushtet në vitin 2013, kryeministri Rama, lancoi projektin e Rilindjes Urbane, një projekt që sipas tij do të rigjallëronte jetën dhe ekonominë e çdo qyteti. Shumë shpejt “torta” e Rilindjes Urbane do të pësonte rritje të konsiderueshme, duke arritur në shifrën rekord të rreth 2 miliard eurove, të investuara deri në vitin 2020.

Nga këto rreth 600 mln euro kanë shkuar për fasada dhe sheshe të reja. Me një buxhet tejet minimalist dhe mundësi financiare të kufizuara, ekspertët gjykojnë se projekti i Rilindjes urbane është shumë më i shtrenjtë dhe ka shërbyer si kapsulë korrupsioni.

“Është shumë i shtrenjtë për një gjë që nuk kushton aq. ka pasur abuzime në të gjithë projektet që janë abuzuar, pasi vlera e tenderit është shumë më e lartë.E gjithë kjo para që u investua për rilindjen urbane, paratë që u hodhën në qendrat e qyteteve nuk arritën dot të gjenerojmë atë kthim ekonomik që duhet të gjeneronin. sot mund të themi se janë 600 mln euro që nuk kanë kthyer as një të dhjetën e atyre që janë hedhur” u shpreh ekonomisti, Pano Soko

Në kushtet kur sipas INSTAT, 23% e popullatës së vendit ose e thënë ndryshe 671 mijë shqiptarë jetojnë nën kufirin e varfërisë, a u përdorën me efikasitet paratë e Rilindjes Urbane? A u ul varfëria? A u gjallërua ekonomia? Apo këto para u përdorën për të kënaqur klientët e qeverisë? Për ekspertët, kjo është llogari e thjeshtë për tu bërë. Teksa sqarojnë se ndërhyrjet në fasada dhe sheshe janë të mirëpritura, këmbëngulin se llogjika ekonomike ka rregullat e saja strikte kur një investim konsiderohet i suksesshëm.

“Nëse mendon të hedhësh 1 mln euro në një rrugë të caktuar, duhet të jetë e tillë që taksat që vijnë nga ekonomia e shtuar e rrugës të të paguajnë rrugën. Më thjeshtë që nëse rruga kushton 1 mln, atëherë vëllimi i ekonomisë së shtuar duhet të jetë 4 mln euro, dhe vetëm në këtë rast marrim 1 mln euro taksa që do të thotë se rruga e ka paguar vetë veten”, u shpreh ekonomisti, Pano Soko

Por, ndërsa sheshet dhe fasadat e shumë qyteteve iu është vënë kazma, për tu veshur të gjithë me të njëjtën pllakë, këto ndërhyrje janë shoqëruar me kritika të forta për uniformitet dhe se investimet në fasada janë vetëm propagandistike.

“Ka një handikap në këtë qasje. Përveçse faktit që janë dy tre duar që i kanë projektuar, apo faktit që bëhet një konkurs e bëhet copy paste gjithandej… bëhet një konkurs, merret një fare betoni gur dekorativ konglomerat dhe tani ai shkon në Sarandë, në Vlorë edhe pse ai nuk lidhet fare me vendin ku shkojnë. Eliminojnë të gjithë atë rrugëtim historik që ka një vendndodhje e caktuar dhe fillojnë e ndërhyjnë me këto skema të njohura”, u shpreh arkitekti, Kreshnik Merxhani.

Sipas tyre, duhet të ketë një metodologji si i qasemi qendrës së një qytetit, çfarë shpirti ka vendi, çfarë merren në konsideratë, si ndikon dhe investimi duhet të prekë të gjithë qytetin, jo vetëm një copëz qendër.

“Ti shkon në një qendër dhe gjen një situatë a thua nuk ka ndodhur asgjë aty. Diku aty në mes, krijohet një ishull në kushtet e skizofrenisë, ku ti ke të gjithë qytetin ndryshe dhe ke një copëz aty që nuk lidhje fare” u shpreh arkitekti, Kreshnik Merxhani.

Pavarësisht kritikave të shumta, hijeve të dyshimit për tendera korruptivë e favorizime klienteliste, rilindja urbane ka ecur përpara me hapa galopantë. Për këtë mjafton t’u hedhim një sy fondeve zemërgjera që qeveria ka vënë në dispozicion. Më konkretisht, në vitin 2013 Rilindja urbane nisi me një fond modest prej vetëm 2.82 milionë euro. Në vitin 2014, ky fond shënoi një rritje të ndjeshme duke kapur shifrën e 73.78 mln euro. Më 2015, që është vit elektoral, fondi për rilindjen urbane u dyfishua dhe dhanë plot 147 mln euro, ndërkohë që në vitin 2016 fondi i rilindjes urbane pësoi një tjetër rritje dhe arriti në 274 mln euro./Tch

Përgjatë 2017-ës, vit në të cilin kryeministri Rama do të kërkonte mandatin e dytë qeverisës, ‘thesi” i Rilindjes Urbane shkoi në 358 mln euro. Rritja, ndonëse me shifra modeste, vijoi edhe përgjatë 2018-ës dhe 2019-ës, vite për të cilat u vunë në dispozicion të Rilindjes Urbane respektivisht 363 mln euro dhe 365 mln euro.

Në 2020, një vit i vështirë me termet dhe pandemi, qeveria shqiptare ndau nga buxheti i shtetit plot 400 mln eurove për “Fondin e Zhvillimit të rajoneve”. Vetëm për vitin 2019 në emër të Rilindjes urbane janë tenderuar 581 projekte, me një vlerë prej 365 mln euro, të cilët u morën përsipër nga 338 kontraktorë. Referuar dhjetëra kërkesave për informacion që Inside Story dërgoi pranë çdo njësie të qeverisjes vendore, paratë e rilindjes urbane janë përqendruar vetëm në disa duar./TCH

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *