A ishin Caroline Crouch dhe Charalambos Anagnostopulos një familje e lumtur siç duket nëpër foto? Ditën e djesshme, Policia që po heton vrasjen e nënës britanike, ka marrë në pyetje një psikolog i cili po trajtonte ciftin përpara se të ndodhte vrasja. Zbulohet se Caroline vuante nga depresioni mbas lindjes dhe po merrte ndihmën e psikologut, ndërsa Babis, burri i saj, po trajtohej për diçka ende të panjohur.
Policia Greke dyshoi fillimisht se në vrasjen e tmerrshme në Glyka Nera, ishte i përfshirë një shqiptar dhe një gjeorgjan. Por çështja duket se është më komplekse se kaq, pasi disa elementë po përmbysin totalisht rrjedhën e historisë.
Zoti Stavros Balaskas, një zyrtar i policisë, e ka ende të paqartë pse ka kaq shumë vështirësi në mbledhjen e provave në skenën e krimit. Edhe pse ai nuk shprehet në mënyrë të drejpërdrejtë, ky fakt përbën diçka shumë shqetësuese, pasi lë dyshimin mos ndoshta vendngjarja është pastruar para se të vinte policia.
Fillimisht, asnjë kamera nuk regjistroi autorët që po vinin ose në momentin kur po dilnin. E dyta fakti që nuk u gjetën flokë ose ADN të autorëve në vendin e krimit. Dhe e treta, është mënyra se si piloti 32-vjeçar menaxhoi situatën dhe u zgjidh nga litarët, në mënyrë që të njoftonte Policinë.
“Cikli i hetimeve nga laboratorët kriminalistikë nuk është i mbyllur. Kërkimet gjithmonë ngrenë pyetje serioze dhe ne duhet t’i zgjidhim ato. Kur nuk ka asgjë në atë që ne po kërkojmë, lind një pyetje. Në këtë rast, lindën shumë pyetje që nuk janë zgjidhur “, theksoi ai. Autoritetet duhet të kuptojnë se si ndodhi vrasja, pasi në fund të hetimit nuk duhet të ketë hije për asgje. Disa nga pyetjet që ende nuk po marrin një përgjigje të qartë janë: Si u lidh piloti? Si arriti ai të zgjidhej dhe të lajmëronte Policinë?
“Gjithmonë ka të dyshuar të tjerë dhe të dyshuar të zakonshëm, por edhe të dyshuar, të cilët nuk duken të dyshimtë”, shtoi Stavros Balaskas. Ai deklaroi se hetimet janë përqendruar kudo.”Ekzistojnë tre raunde të hetimeve. Rrethi i afërt, rrethi i madh dhe rrethi i largët. Të tre qarqet bashkohen në laboratorët kriminalë dhe japin përgjigjet, ” tha ai. Ekzaminimi mjeko – ligjor nuk tregoi ndonjë ADN të huaj mbi trupin e Caroline. Në të njëjtën kohë, një person i njohur nga ambienti i Caroline pritet të dëshmojë në ditët në vijim.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Greqi, pak javë më parë ku tre persona shkuan për të grabitur shtëpinë e çiftit. 20-vjeçarja u gjet e vrarë, në papafingo të shtëpisë, pranë krevatit të fëmijës së saj 11 muajshe, ndërsa burri i saj 32 vjeç ishte i lidhur në një karrige në dhomën e gjumit.
Ishte ai që pretendohet se njoftoi Policinë duke i rënë telefonit me hundë, por bashkëshortja kishtë ndërruar jetë prej kohësh. Bashkëshorti i viktimës bëri me dije se vetëm pak ditë para grabitjes kishin shitur një tokë për 100 mijë euro, por i kishin investuar lekët menjëherë. Ndërsa në banesë kishin mbajtur vetëm 10 mijë euro.