Si u zbulua fajdexhiu i Niklës?/ Rrëmbime, vrasje dhe kërcënime, fajdet po falimentojnë qindra biznese në Shqipëri

Ndërsa malavita ka lëshuar kthetrat e veta dhe Shqipëria është kthyer në një skenë të madhe krimi, ku bandat vrasin pa dallim, ditën dhe natën, duke mos kursyer as akset kryesore të rrugëve, një fenomen gati i nëndheshëm, duket se po lulëzon prej kohësh dhe po shkatërron jetë njerëzore duke i çuar ata drejt një gremine pa kthim.Një fenomen i ditur botërisht, por në të shumtën e herëve i padukshëm. I fshehur në foletë e dëshpërimit dhe frikës; të nevojës për para, por edhe të kërcënimit që vjen përmes shantazhit.

Një simptomë agresive që ka gjetur shtrirje masive edhe në Shqipëri, dhe që po vret fshehurazi. Ku pas një tyte arme, apo një skene krimi, blloqe të mbushura me shifra dore, na tregojnë një tjetër anë të errët të krimit.

Ky fenomen njihet si fajde, apo ndryshe dhënia e parave në këmbim të interesave të papërballueshme. Një trend midis ligjshmërisë dhe paligjshmërisë, i karakterizuar jo thjesht nga interesi i lartë për paratë e dhëna me hua, por mbi të gjitha nga natyra e dhunshme dhe frikësuese që huadhënësit përdorin ndaj karremave të tyre.

Një nga këto histori është edhe ajo e Ylli Çangut.

Një prej personazheve të konsideruar ndryshe edhe si një prej të fortëve të shumtë që jetojnë dhe veprojnë në fshatin problematik të Niklës në Fushë-Krujë.

Një hetim, i prokurorisë së Krujës, nxori në sipërfaqe fenomenin shqetësues të fajdeve, që prej kohësh flitet me shqetësim, por që rrallëherë dokumentohet nga institucionet.

Ishte mbrëmja e 12 shtatorit 2018, kur forcat speciale zbarkuan në shtëpinë e Ylli Çangut në fshatin Nikël të Fushë-Krujës, dhe shoqëruan atë në komisariat.

Një vizitë brenda vilës luksoze të tij që do të rezultonte një surprizë edhe për vetë forcat speciale RENEA. Të cilat, gjatë bastisjes së vilës ku Ylli Çangu jetonte, gjetën ndër të tjera edhe disa fletore të shkruara me shkrim dore, fletore, që në dukje, dukeshin të zakonshme.

Po në brendësi të tyre, dalloheshin qartësisht të rrumbullakosura, shifra të mëdha parash, si edhe në krah, emra personash konkretë.

Shifra, që ishin të shoqëruara, me firmat përkatëse të gjithsecilit prej tyre. Por çfarë ishin këto fletore dhe përse shërbenin?

Cili ishte aktiviteti i Ylli Çangut, që njëkohësisht ishte edhe kunati i Durim dhe Valter Bamit, vëllezërit plangprishës të Niklës.

Fshati i kthyer tashmë në një nga istikamet më të rrezikshme të botës së krimit në Shqipëri, ku edhe shteti është dorëzuar duke u treguar kohë pas kohe i pafuqishëm për të ndërhyrë.

Për të kuptuar se çfarë ishin ato blloqe dhe cili ishte aktiviteti që Ylli Çangu ushtronte në ilegalitet, prokuroria mori në pyetje fillimisht personat që ndodheshin në defterët e tij.

“Unë merrem me aktivitet biznesi, konkretisht me prodhimin e kornizave dhe ikonave të cilat janë të destinuara vetëm për eksport. E njoh Ylli Çangun pasi kam prej vitesh marrëdhënie shoqërore me të. Shumën prej 80 000 eurosh të përmendur në deklaratën e datës 23 janar 2014 ia kam marrë hua Yllit, pa interes në intervale kohore të ndryshme para kësaj date. Unë kisha nevojë për të bërë disa pagesa të ndryshme. Nuk kisha para dhe i kërkova ndihmë Yllit. Marrëveshjen e kishim që unë t’ia ktheja huan në 20 këste me nga 4000 euro kësti, por kjo marrëveshje nuk u respektua. Kjo nga pamundësia ime për t’i kthyer paratë në kohë”.

Tashmë ishte e qartë se Ylli Çangu, ushtronte prej vitesh, biznesin e fajdeve.

Paratë u jepeshin hua biznesmenëve në nevojë, të cilët duhet t’i kthenin borxhliut të tyre, brenda afatit të përcaktuar, jo vetëm shumën e parave, por shpeshherë edhe dyfishin e parave të marra hua.

Por siç tregoi më lart, biznesmeni, tashmë i zhytur në pamundësi për të shlyer borxhet e para ndaj Ylli Çangut, shpejt do t’i kërkonte këtij të fundit hua të reja për të mbyllur gropën e zezë financiare ku kishte rënë.

“Gjatë kohës që Ylli Çangut kisha për t’i shlyer paratë e para të marra hua, i kam marrë këtij të fundit hua edhe shuma të tjera, të cilat në total shkojnë 160 000 euro. Më datë 8 gusht 2015 bëmë një grafik dhe e nënshkruam të dy në lidhje me borxhet dhe likuidimet që kisha më të nga data 30 shtator 2015 deri më datë 30 janar 2018, për një shumë totale prej 160 000 euro me nga 6 000 euro kësti mujor. Ky grafik nuk është respektuar pasi ka pasur raste që nuk kam arritur ta likuidoj Yllin sipas grafikut. Por ka pasur raste kur unë e kam likuiduar atë me shuma edhe 60 000 euro”.

Por ndërsa në njërën anë, Ylli Çangu jepte fshehtas hua në këmbim të interesave të larta, në krahun tjetër, siç vërtetohet edhe nga blloqet e dokumenteve që iu gjetën në banesë, ai u jepte para biznesmenëve të ndryshëm, këtë herë, duke kaluar nga zyrat e ligjit ose ndryshe nga zyra e noterisë, siç ishte, edhe rasti i një biznesmeni të një mobilierie në Nikël, i cili tregoi në një farë mënyre edhe se si funksiononte skema e fajdeve në Shqipëri.

Para që jepeshin hua me kontratë të rregullt noteriale, por ku interesat caktoheshin nga palët jashtë këtyre zyrave.

“Unë merrem me aktivitet biznesi, mobileri të cilën e kam në fshatin Nikël, Fushë-Krujë. Ylli Çangun e njoh prej vitesh pasi jemi nga e njëjta zonë dhe kam marrëdhënie të mira shoqërore me të. Gjatë vitit 2017 mesa mbaj mend, në pesë raste në periudha të ndryshme Ylli Çangu më ka dhënë në cash shuma parash në euro, të cilat varionin nga 15- 20 mijë euro. Këto para m’i ka dhënë me mirëbesim, pa interes dhe pa i shoqëruar me ndonjë dokument. Në çdo rast pasi ia merrja paratë bëja likuidimin e blerjeve dhe sapo shisja mallin ia ktheja sërish paratë Yllit.

Në muajin korrik të vitit 2018, Ylli më takoi dhe më tha se i duhej një kontratë huaje sikur më kishte dhënë shumat prej 100 000 euro dhe 140 000 USD, si dhe të lija si garanci për këtë hua dyqanin tim të ndodhur në Nikël, së bashku me truallin të regjistruar në hipotekë. Unë rashë dakord dhe shkuam tek noter Ismet Mavriqi dhe nënshkruam kontratat e huas. Po këto kontrata nuk janë realizuar ndonjëherë, pasi nuk është e vërtetë që unë të kem marrë hua nga Ylli Çangu shumat e parave të përmendura në këtë kontratë noteriale. Arsyen përse Ylli i donte këto kontrata nuk e di.

Rashë dakord sepse jemi shokë dhe ai më ka ndihmuar disa herë duke më dhënë para borxh pa interes. Kjo kontratë duhej të zgjidhej para noterit, por Ylli Çangu u arrestua në muajin shtator 2018 dhe gjendet në burg”.

Ishin këto deklarata të gjetura në vilën e Ylli Çangut, por edhe dëshmitë e vetë personazheve që kishin shenjuar gishtin në këto dokumente mirëbesimi, që çuan grupin hetues në konkluzionin se kishin të bënin me fenomenin e fajdeve.

Ku tashmë ishte e qartë se Ylli Çangu, ushtronte prej vitesh, biznesin e dhënies së parave hua kundrejt interesit.

Para të cilat u jepeshin hua biznesmenëve në nevojë, të cilët duhet t’i kthenin borxhliut të tyre, brenda afatit të përcaktuar, jo vetëm shumën e parave, por shpeshherë edhe dyfishin e parave të marra hua.

Nga studimi i akteve të referuara nga policia gjyqësore ndaj të dyshuarit Ylli Çangu, rezulton se gjatë kontrollit të banesës së këtij të fundit më datë 12 shtator 2018 ora 07.30, sipas autorizimit të gjykatës ndër sendet e tjera të gjetura, janë sekuestruar në cilësinë e provave shkresore dhe disa dokumente që vërtetojnë se ky person është marrë edhe me ushtrimin e paligjshëm të veprimtarisë financiare, duke vepruar në kundërshtim me ligjin.

Kjo veprimtari e paligjshme është kryer në formën e kreditimit të personave të ndryshëm sipas kamatave mujore e cila në zhargonin e rëndomtë njihet si dhënie me fajde e parave.

Një nga këto deklarata është ajo e lidhur midis Ylli Çangut dhe huamarrësit, Dragush Vogli.

Ku u sekuestrua një grafik për likuidimin e borxhit prej 160 000 euro, të nënshkruar nga huamarrësit Dragush Vogli dhe Ilir Vogli, si dhe huadhënënësi Ylli Çangu.

Sipas këtij grafiku do të likuidohen 26 këste me nga 6000 euro kësti, në datat 30 të muajve të ndryshëm, duke filluar nga data 30 shtator 2015 deri në 30 nëntor 2018, ndërsa kësti i fundit prej 4000 eurosh do të shlyhet me datë 30 janar 2019.

Ky duhet të jetë grafiku i pagesave të kësteve mujore të interesit të huas prej 80 000 euro. Shuma e përfituar nga kreditimi është sa 100 për qind e vlerës së principalit prej 80 000 euro e cila është paguar dhe vazhdon sipas grafikut.

Pra i dyshuari ka dhënë hua 80 000 euro me kusht që t’i kthehet dyfishi i saj, që është vlera 160 000 euro.

Por, ndërsa aktiviteti i Ylli Çangut në biznesin e fajdeve, u zbulua rastësisht gjatë një aksioni blic të RENEA-s, ku u arrestua, por t’u liruar më vonë, edhe personazhe të tjerë të shumëpërfolur në botën e krimit si Durim dhe Valter Bami, apo Marklen Haka, duket se kjo marrëdhënie e ashtëquajtur mirëbesimi, ka gjetur shtrirje në të gjithë vendin.

Sipas ekspertit të lartë të tregjeve financiare, Artan Gjergji, nëse në dekadën e parë të kapitalizmit shqiptar, dhënia e parave me fajde ndihmonte në një farë mënyre ekonomitë e vogla për t’u ngritur, tashmë ky fenomen është kthyer në një sindromë e cila ka kapur edhe sektorët më kyç të ekonomisë së brishtë shqiptare.

Tregu i fajdeve, tregu i kredidhënies në sektorin informal kryesisht dominohet nga para që vijnë nga burime të paligjshme, nga aktivitete kriminale. Janë para të cilat në asnjë lloj forme nuk hyjnë dot, nuk penetrojnë dot në sektorin financiar. Kjo lloj frymë tenton të alokohet drejt atyre sektorëve që kanë më pak rregullim, pra thënë ndryshe paraja nga aktiviteti i jashtëligjshëm e cila përdoret për huadhënie në tregun informal jepet si hua në sektorët që nuk kanë ndonjë rregullim të mirëfilltë siç është sektori i ndërtimit, miniera, investime të ndryshme nga më të ndryshme. Ato tentojnë të qëndrojnë në hije, tentojnë të qëndrojnë në sektorë ku llogaridhënia shtetërore është pothuajse inekzistente.

Po sipas ekspertëve, fenomeni i dhënies së parave me fajde, thuhet se është edhe një nga motivet e krimeve të shumta që po tronditin Shqipërinë kohë pas kohe.

Ndërsa fenomeni duket se është kthyer në një pemë gjenealogjike.

Ku ashtu si vëllai i tij Ylli, të njëjtin aktivitet dyshohet se ushtronte edhe Nazmi Çangu, i cili disa vite më parë kishte dëshmuar në procesin ndaj Emiljano Shullazit dhe ushtarëve të bandës së tij, të cilët akuzoheshin për gjobëvënie.

Biznesmeni, i cili natën e 24 tetorit 2021, u masakrua dhe u grabit duke u mbajtur peng bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes, në vilën e tij në fshatin Nikël të Fushë-Krujës nga grupi i ashtuquajtur ‘Hijet e natës’.

Ku thuhet se banda e përbërë nga 10 anëtarë, mori nga vila e Nazmi Çangut, shumën prej 100 mijë euro, si edhe bizhuteri në vlerë të konsiderueshme.

Normat e interesit janë çmimi ose kostoja e huadhënies, sa më e madhe të jetë kostoja, risku i moskthimit. Kush është risku më i madh tek një huadhënie? Risku është moskthimi i parave që ju keni dhënë hua.

Në sektorin financiar risku është më i vogël sepse procedurat financiare i japin të drejtën bankës të kërkojë një kolateral në këmbim , pra të kërkojë një aset i cili në rast se nuk paguhet të shlyejë detyrimin.

Ndërkohë që në tregun informal ky fenomeni i marrjes së kolateralit për llogari të huadhënësit të fajdexhiut është pak i vështirë se duhet të lësh gjurmë në sistemin financiar dhe kjo është pikërisht ajo që nuk duan ata. Duan të kenë sa më pak marrëdhënie me shtetin, sa më pak marrëdhënie me noterin, sa më pak gjurmë në sistem. Edhe pse janë të detyruar të shkojnë tek noteri, por kurrë nuk do të gjeni një kontratë që parashikon edhe interesin, sepse nuk e lejon interesi. Kur një biznes i drejtohet fajdexhiut, ai e di shumë mirë që biznesi nuk ka mundësi të marrë nga tregu financiar dhe kjo në njëfarë mënyre rrit çmimin. Por çmimet kalojnë në nivele të jashtëzakonshme, përtej çdo lloj logjike ekonomike./bw

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *