Stërvitja e madhe e përbashkët mes trupave të SHBA-ve dhe atyre të NATO-s në Shqipëri, që mban emrin “Defender Europe ‘21”, përveç qëllimit përgatitor ushtarak, duket se është kthyer edhe në një çështje mesazhesh politike të forta.
Sot portalet kanë shpërndarë një foto të veçantë të Ambasadores së SHBA-ve në Tiranë, e cila ka bërë qitje një ditë më parë me armë të rënda luftarake në poligonin e Bizës.
Ambasadorja është shtrirë në pozicion qitjeje, në krah të një prej instruktorëve amerikanë, duke qëlluar njëherë me mitraloz, pistoletë dhe pastaj duke parë me dylbi.
Në sajë të stërvitjes, forcat ushtarake kryen ushtrime zjarri, si pjesë të Stërvitjes të Përgjigjes së Shpejtë (një nën-stërvitje e Defender ‘21), ku ushtarë shqiptarë dhe amerikanë, kryen trajnime të përbashkëta gatishmërie, për të rritur ndërveprimin e NATO-s dhe për të treguar aftësitë e tyre në parandalimin e konflikteve dhe aftësinë për të mbajtur kombet e sigurta.
Ndërkohë sot kur mediat e vendeve të rajonit i kanë bërë një paraqitje stërvitjes së përbashkët ruso-serbe në Serbi, si dhe kanë ngritur shqetësimin për rritjen e tensioneve në Ballkan, ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka publikuar fotot e fundit nga ngritja e sistemit anti-rraketë “Patriot”, të instaluar në bazën ajrore të Kuçovës.
Kjo duket si një grumbull mesazhesh, që nga ai i ambasadores Kim që bën qitje me mitraloz pranë Malit me Gropa, deri tek kundërpërgjigja ndaj ruso-serbëve për sigurinë e qiejve mbi Ballkan, të cilët tani do të mbrohen nga sisteme antirraketore amerikane.
Me “Defender Europe ‘21” duket se NATO dhe SHBA-të po flasin me mesazhe të qarta si për politikanët në Shqipëri, ashtu dhe për vendet që mendojnë se mund të kontrollojnë influencat në Ballkan.
/Priza.al/