Udhëheqësit e 44 vendeve të kontinentit evropian po mblidhen më 6 tetor në Kështjellën e Pragës për të nisur zyrtarisht Komunitetin Politik Evropian (EPC).
Është një platformë politike përmes së cilës pjesëmarrësit do të mblidhen rregullisht për të diskutuar çështje me interes të përbashkët.
Ideja u prezantua për herë të parë në maj të këtij viti nga presidenti francez Emmanuel Macron.
Menjëherë pas presidentit francez, kjo nismë u mbështet nga presidenti i Këshillit Evropian , Charles Michel .
Në fjalimin vjetor për gjendjen e Bashkimit në shtator, presidentja e Komisionit Evropian (KE) Ursula von der Leyen konfirmoi gjithashtu mbështetjen e saj për nismën.
Vetëm pak muaj pas lindjes së idesë, komuniteti politik evropian po bëhet realitet.
Zyrtarët e lartë evropianë nënvizojnë se samiti inaugurues është “mbledhja më e madhe evropiane në vitet e fundit”.
Një platformë për t’u mbledhur dy herë në vit
Komuniteti politik evropian nuk është një organ i institucionalizuar që do të kishte një sekretariat apo përfaqësues të tij.
Bëhet fjalë më shumë për një platformë dialogu ku, sipas idesë, do të kishte tubime të rregullta ku pjesëmarrësit do të diskutonin tema të tilla si stabiliteti, ndryshimet klimatike apo energjia.
Ndonëse takimi organizohet nga presidenca çeke e BE-së, zyrtarët e Brukselit pohojnë se Bashkimi Evropian nuk është organizatori, por “lehtësuesi” i kësaj platforme.
Ideja është që të organizohen takime brenda Komunitetit dy herë në vit, ku çdo takim tjetër të mbahet në një vend evropian që nuk është anëtar i BE-së.
Londra dhe kryeqyteti moldav Kishinau janë ofruar tashmë të organizojnë takimin e radhës që do të mbahet në vitin 2023. Në fund të këtij samiti do të bëhet e ditur edhe vendi i takimit të radhës. Pjesëmarrja e barabartë e të gjithë drejtuesve. Në samitin inaugurues marrin pjesë 27 liderë nga vendet anëtare të BE-së dhe 17 liderë të vendeve të kontinentit më të vjetër, praktikisht të gjitha vendet evropiane, përveç Rusisë dhe Bjellorusisë.