Shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare, ka folur së fundmi për ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel, që këtë vit ju dha Annie Ernaux. Shkrimtares i është dhënë çmimi “për guximin dhe mprehtësinë klinike me të cilën ajo zbulon rrënjët, largimet dhe kufizimet kolektive të kujtesës personale”,- tha komiteti i çmimit ‘Nobel’.
Ismail Kadare e ka ndjekur ceremoninë e ndarjes së çmimit ‘Nobel’, i ulur në një nga lokalet në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë me bashkëshorten dhe miqtë e tij. I pyetur nga ‘Euronews Albania’ nëse ishte zhgënjyer që përsëri nuk kishte mundur të fitonte këtë çmim, Kadare u përgjigj se nuk kishte asnjë lloj përjetimi. “Siç e shikoni nuk kam ndonjë përjetim. 40 vjet më parë edhe mund të kisha”,- tha Kadare.
Ndërkohë bashkëshortja e tij, Helena Kadare u shpreh se shkrimtaren që fitoi Nobelin nuk e njohin, madje nuk e kanë dëgjuar edhe pse prej shumë vitesh jetojnë në Francë. “Nuk e njohim shkrimtaren që fitoi Nobelin, edhe pse jetojmë në Francë. S’e kam dëgjuar kurrë, për të njohur jo se jo, por nuk e kam dëgjuar as si emër. Derisa në ‘Nobel’ është e njëjta juri dhe ka thënë jo 40 vjet, nuk ke pse ta ndryshosh mendimin”,- u shpreh shkrimtarja Helena Kadare.
Ndër të tjera, botuesi Bujar Hudhri u shpreh se është një zhgënjim që çmimi ‘Nobel’ në letërsi nuk është dhënë asnjëherë shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare.
“Përjetimi im nuk ka si të ndryshojë nga përjetimi i çdo lexuesi shqiptar, duke njohur Kadarenë në kaq vite krijimtari, edhe nga brezi i ri e di vlerën e Kadaresë, është një zhgënjim. Pavarësisht se është një çmim privat dhe nuk mund ta kritikojmë, është një zhgënjim. Unë fituesin e ‘Nobel’ nuk e kisha njohur asnjëherë”,-u shpreh ai.