Një 57-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Lezhës pasi u kap duke transportuar emigrantë të paligjshëm.
Uniformat blu raportojnë se S. K., 57 vjeç, banues në Delvinë është arrestuar pasi në automjetin e tij ka patur emigrantë dhe po i transportonte në drejtim të Shkodrës me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit të parave.
Njoftimi i policisë
Lezhë / Goditet një rast tjetër i transportimit të emigrantëve, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror.
Vihet në pranga një 57-vjeçar për kryerjen e kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të kundërligjshme në fushën e dhënies ndihmë kundrejt fitimit, shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, në bazë edhe të informacioneve të marra në rrugë operative, shërbimet e DVP Lezhë dhe shërbimet e Policisë Rrugore kanë goditur një rast tjetër të kësaj veprimtarie.
Si rezultat, në aksin rrugor “Lezhë – Shkodër”, në fshatin Piraj, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin S. K. Në këtë automjet janë gjetur emigrantë nga vendet e treta, të cilët, 57-vjeçari po i transportonte në drejtim të Shkodrës, kundrejt pagesës, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.
Në vijim të veprimeve, është arrestuar në flagrancë shtetasi S. K., 57 vjeç, banues në Delvinë, për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme.