Duket se momenti që të gjithë fansat e futbollit i trembeshin ka ardhur. Lionel Messi ka deklaruar se ky do të jetë kompeticioni i fundit i Kupës së Botës për të.
35-vjeçari e ka konfirmuar një gjë të tillë në një intervistë për “Star Plus”, ku është shprehur se nuk do të ketë më kthim pas siç ka ndodhur herët e tjera.
“Çfarëdo që të ndodhë, do të jetë Botërori im i fundit. Jemi në një moment të mirë, ne jemi një grup shumë i fortë. Por në Kupën e Botës çdo gjë mund të ndodhë: të gjitha ndeshjet janë shumë të vështira dhe favoritët nuk fitojnë gjithmonë.
Në favorite? Nuk e di nëse jemi kandidatët numër një për të fituar. Mendoj se ka skuadra të tjera që janë favoritë sot, por edhe ne jemi atje”, ka pohuar ai.
Pasi ka fituar kampionatin kontinental me ekipin e tij kombëtar, Mesi synon tashmë lavdinë e Kupës së Botës, për ta mbyllur në mënyrën më të mirë me kompeticionin më të madh të futbollit.