“Sipas burimeve të mia…”. Kjo është turp, nuk është gazetari investigative

Nga Roland Qafoku

Mbrëmë isha i ftuar në emisionin “Now” të koleges Erla Mëhilli në “Euro News Albania”. Si temë e emisionit ishte situata kriminale në vend dhe mënyra se si po i përgjigjet policia. Besoj, se një nga pjesët më dobishme të bisedës në studio ishte ajo për mënyrën se si media, veçanërisht gazetarët e kronikës së zezë po funksionojnë në pasqyrimin e disa ngjarjeve kriminale në vend. Theksova se nuk është fare gazetari, e jo më gazetari investigative, kur një reporter, gazetar, redaktor, kryeredaktor që artikulon në një studio televizive, me zë dhe figurë, të dhëna që nuk i vërteton. Kjo mënyrë ka sjellë një deviacion pothuajse të paimagjinueshëm të këtij zhanri të gazetarisë në Shqipëri duke e shoqëruar me një garë të ethshme mes gazetarësh se kush e kush të thotë një të dhënë më shumë. Në të shumtën e rasteve kjo e dhënë nuk shoqërohet me prova por me frazën klishe dhe demode “sipas burimeve të mia”. Unë nuk di, as nuk njoh, as nuk kam parë dhe as të kem dëgjuar që në një vend perëndimor ekziston ky stil gazetarie.

Ndërkohë, është fakt real që në median shqiptare ka gazetarë dhe gazetare të kronikës së zezë që do ti cilësoja jo vetëm profesionistë por edhe heronj të cilët kanë rrezikuar vërtetë jetën për të informuar publikun. Media shqiptare i ka shembujt e mirë dhe pozitiv të kronikës së zezë. Po jap vetwm disa: Anila Hoxha e Top Channel, Arsen Rusta i Report TV, Flamur Vezaj, Aulona Kadillari, Elvis Myrto, Julian Kasapi, Doriana Bezat, etj. Dhe këta gazetarë, me ato që i njoh nga afër dhe i kam ndjekur kanë dy parime kur kanë arritur suksese që nuk ia ka vënë në dyshim askush: Ndershmërinë dhe profesionalizmin. Dhe nëse i quaj heronj, janë të tillë sepse në këtë gazetarinë tonë me shumë deformime, ai apo ajo që u kanë rezistuar këtyre dy cilësive janë heronj. Nuk e teproj ta them këtë sepse matjen në kësi rastesh e bëj me bilancin se sa përgënjeshtrime kanë marrë ata në karrierë për lajmet që kanë publikuar. Por ama duhet ta them se në Shqipëri ka edhe gazetarë që për shkrime dhe klikime dhe në emër të frazës “sipas burimeve të mia” këpusin mufka dhe broçkulla nëpër studio që habisnin gjithkënd. Mund ta bëjnë këtë edhe për arsye të tjera, por unë nuk kam prova dhe nuk dua që edhe unë me këtë shkrim të aplikoj të njëjtin stil. Edhe më e rëndë bëhet situata kur moderatorët që i dëgjojnë këto broçkulla nëpër studio nuk vijojnë ta pyesin gazetarin për të vërtetuar atë që deklaroi live, por eksitohen sepse e njoftojnë nga regjia se pikërisht në këtë moment i është rritur audienca nga broçkullat që investiguesët e vetëshpallur thanë në studio. Këtu ka edhe ndonjë moderator akoma më mediokër që pasi mësoi se homologut iu rrit audienca i kërkon të njëjtin gazetar investigativ ta ftojë të nesërmen në studio për të njëjtën arsye, për të njëjtën temë, rrjedhimisht për të njëjtët broçkulla. Është gati t’i thotë: Ti fol çfarë të duash, s’ka problem se për çfarë. Ky është kulmi i kulmeve. Dhe fatkeqësia është se kjo panoramë tashmë është kthyer në fenomen.

E vlerësoj jo pak Fabian Zhillën për një nismë që ka marrë së fundmi lidhur me emisonet që sipas tij nuk janë të përshtatshme për brezin e ri, veçanërisht për adoleshentët. Por krahas kësaj nisme besoj duhet të merret edhe një nismë tjetër që të futet në hallet e profesionalizmit gazetaria e kronikës së zëzë. E theksoj, e kronikës së zezë, se gazetaria investigative është disa vjet dritë larg këtu te ne. Gazetari investigative është ajo që pasi ke publikuar fakte dhe prova, të kesh ndikuar dhe diktuar aq shumë në jetën shoqërore në vend saqë kjo të shoqërohet me pasoja të tipit shkarkime zyrtarësh, hetime e deri arrestime. Dy tre gazetarë që e aplikojnë stilin “sipas burimeve të mia”, fatkeqësisht kanë infektuar edhe gazetarët e rinj që ëndrrën e tyre në sirtar fatkeqësisht e kanë të bëhen si këta lloj investigatorësh. Kemi detyrimin moral dhe profesional që të gjithë ne gazetarët që kemi sado pak kontribut në këtë zhanër të gazetarisë duhet t’i themi “stop” këtij stili. Por, ti themi stop edhe stilit të atyre moderatorëve që ushqejnë këtë lloj gazetarie për disa views më shumë. Ky stil mund të jetë gjithçka, por vetëm gazetari investigative nuk është kurrë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *