Komisioni Evropian ka konfirmuar rekomandimin për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Ata vlerësuan se rekomandimi, i cili daton në vitin 2018, mbetet “plotësisht i vlefshëm”.
Është një dokument kyç që do të jetë bazë për marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën në nivel të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian (BE).
Sipas dokumentit, në të cilin Radio Evropa e Lirë (RSE) ka qasje, Kosova ka krijuar një kornizë të fortë ligjore dhe operative për luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe trajtimin e rreziqeve të migracionit dhe sigurisë.
“Kosova vazhdoi të konsolidojë progresin në fushat kyçe të identifikuara në udhërrëfyesin e liberalizimit. Prandaj, baza për rekomandimin e Komisionit të vitit 2018 për të përjashtuar shtetasit e Kosovës nga kërkesat për viza afatshkurtër mbetet plotësisht e vlefshme,” thuhet në dokumentin e Komisionit Evropian.
Procedurat legjislative që do të çonin në vendimin për heqjen e regjimit të vizave nisin zyrtarisht më 13 tetor, kur grupi i punës për vizat do të mblidhet dhe do të nisë diskutimin e parë për këtë çështje.
Në vitin 2012, Kosova mori Udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Më pas, në vitin 2018, Komisioni Evropian konfirmoi se vendi i plotësonte të gjitha kriteret për heqjen e regjimit të vizave.
Parlamenti Evropian, një nga dy institucionet që vendos për këtë, disa herë ka votuar për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Prej vitesh çështja hasi në një ngërç në planin politik, pra në Këshillin e Ministrave të BE-së, i cili merr vendimin përfundimtar, për shkak të vullnetit të pamjaftueshëm politik për të vazhduar procesin.
Sipas procedurave në institucionet evropiane, pasi Komisioni Evropian rekomandon liberalizimin e vizave për një vend, procesi i vendimmarrjes zhvillohet në dy pista: në nivel të Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Ministrave të BE-së.
Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë lirinë e lëvizjes në zonën Shengen.
Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë pasur liberalizimin e vizave që nga dhjetori 2009, dhe Bosnja dhe Hercegovina dhe Shqipëria e morën atë një vit më vonë, në dhjetor 2010.