Kandidati i katërt në garën për kryesimin e PD-së, Ibsen Elezi, depozitoi sot në selinë blu formularin e kandidimit sipas rregullores së komisionit që do të drejtojë këtë proces.
Nga shkallët e PD-së, ku pas protestave të disa ditëve më parë, tashmë u lejua që të futej, Elezi mbajti një deklaratë të shkurtër para mediave, duke thënë se vetëm dorëheqja e Lulzim Bashës, mund të garantojë zgjedhje të barabarta në PD.
“Vetëm me dorëheqjen e Bashës mund të ketë garë të barabartë. Kandidatët për kryetar duhet të kenë përfaqësues në Komisionin Zgjedhor”,- tha Elezi.
Më tej, ai apeloi që të evitohet manipulimi i votave. Një rast i vetëm sipas Elezit do të ulte imazhin e Partisë Demokratike.
“Këto janë elementë shumë të rëndësishëm që vlejnë për të gjithë strukturën e PD. Unë dua t’ju kujtoj të gjithë drejtuesve të strukturave që të administrohet një proces zgjedhor ku vota të konsiderohet e paprekshme.
Në qoftë se edhe një rast i vetëm manipulimi ndodh do të ulë imazhin e Partisë Demokratike. Çdo kandidat duhet të ketë kontroll mbi procesin zgjedhor, ky është parim themelor”,- deklaroi ai.
Sot është afati i fundit i dorëzimit të kandidaturave për kryetarin e Partisë Demokratike. Zgjedhjet do të zhvillohen më 13 qershor, më shumë se një muaj para afatit të parashikuar që ishte 22 korriku.
Deri më tani në garë janë; kryetari aktual Lulzim Basha, Edith Harxhi, Fatbardh Kadilli dhe Ibsen Elezi. Të 4 emrat kanë dorëzuar në PD formularin e kandidatit dhe pritet që nesër Komisioni për Zgjedhjet i ngritur në PD të zyrtarizojë emrat. Me mbylljen e procesit të dorëzimit të kandidaturave, kandidatët do të nisin takime në 61 degët e PD për të prezantuar platformat e tyre.
/Priza.al/