Sonte starton programi i kërcimit “Dancing With The Stars”. Disa orë para natës premierë të shumtë kanë qenë personazhet pjesëmarrës që kanë folur rreth spektaklit, ndër to edhe producentja Sara Hoxha. Me anë të një postimi në ‘Instagram’, Sara e ka cilësuar këtë emision si një “fëmijë” për të, duke u shprehur se teksa solli në jetë vajzën e saj “Ruya-n” një javë më parë, paralelisht kujdesej që edhe ky spektakël sonte, të shkëlqejë. Ajo shkruan se:
“Një javë më parë, në 30 shtator, lindi Ruya. Ndërsa ajo është njeriu më i fortë që kam njohur, ajo pati nevojë për ndihmë mjekësore pasi erdhi në jetë. Me ndihmën e mjekëve, Ruya më në fund po forcohet dhe së shpejti do jemi në shtëpi. Ndonëse kjo ka qenë java më e bukur e jetës sime, ka qenë edhe më e vështira. Ajo ka zhvendosur prioritetet e mia dhe ka marrë të gjithë fokusin dhe përkushtimin tim. Megjithatë, thonë se jeta nuk është bërë për të dobëtit.Nga ana tjetër, sot vjen në jetë një program shumë i dashur për ne. I gjithë ekipi ka punuar me muaj për këtë produksion dhe mezi presim ta shihni”.
Sakaq ajo nuk harroi të falënderonte edhe bashkëshortin e saj, Ledion Liçon, teksa shprehet se është shumë me fat që ka punuar me të.
“Do të doja të falënderoja të gjithë, por veçanërisht atë që më ka mbuluar në të gjitha aspektet e jetës sime. Është nderi im të mësoj nga ty Ledion Liço dhe të kem emrin tim pranë tëndit sonte. Përkushtimi qe ke ndaj meje dhe ‘DWTS’ është i jashtëzakonshëm dhe të gjithë ata që punojnë me ty e dinë mirë për çfarë flas. Ky produksion sonte, familja jonë e bukur, është e gjitha falë teje!”