Përfundojnë 2 ndeshjet që ngritën siparin e javës së 7 të Kategorisë Superiore. Pas fitores në derbi me Partizanin, Tirana është ndalur në shtëpi nga Laçi, teksa sfida e luajtur në kryeqytet është mbyllur në barazim 3-3.
Fillimisht ishin kurbinasit që kaluan në avantazh me Mazrekajn, por Xhixha barazoi shumë shpejt rezultatin. Ishte sërish shtatshkurtri që kaloi kampionët e Shqipërisë në avantazh, por Laçi barazoi sërish shifrat nga pika e bardhë e penalltisë. 15 minuta para fundit, Xhixha realizoi golin e tretë, ndërsa në minutën e 88, me një goditje dënimi, Mentor Mazrekaj gjeti golin e barazimit. Pas kësaj ndeshje, Tirana ngjitet në kuotën e 12 pikëve, aq sa Erzeni dhe Partizani.
Në ndeshjen tjetër, atë mes Erzenit dhe Egnatias nuk pati fitues. Ndeshja e luajtur në “Niko Dovana” të Durrësit përfundoi në barazim pa gola.
Në fillim ishin shijakasit që iu afruan portës kundërshtare. Rastin më të mirë në pjesën e parë e patën rrogozhinasit, që pretenduan për një penallti, por gjyqtari nuk ishte i këtij mendimi. Në fund ritmi i ndeshjes ra ndjeshëm, me skuadrat që më shumë u përpoqën të mbronin pikën.