Gjuhëtari i njohur Rami Memushaj ka reaguar në lidhje me gjuhën shqipe.
I ftuar në ‘Euronews’, Memushaj tha se kujdesi i shoqërisë për gjuhën ka rënë, ku thekson se gjuha standarde po rrezikohet.
Sipas tij të shumtë janë dhe botuesit të cilët detyrohen të bëjnë punën e redaktorit.
“Gjuha shqipe ka shumë variante, që janë dialekte. Dialektet nuk janë të rrezikuara. Gjuha standarde po rrezikohet. Është një variant që ka nevojë gjithmonë për kujdesin e përdoruesve dhe shoqërisë. Është shoqëria ajo që e përdor dhe që duhet të kujdeset për të. Gjatë këtyre 30 e ca viteve, kujdesi i shoqërisë për gjuhën ka rënë. Janë goditur rëndë institucionet, sidomos Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, që tashmë është katandisur në një departament. Por nga ana tjetër ka rënë dhe kujdesi i shtetit. Kemi qindra botues, por nuk janë të detyruar që të kenë redaktor të liçensuar. Ka prej tyre që përpiqen të gjejnë elementë cilësor, por ka të tjerë që e bëjnë këtë punë formalisht dhe i vënë emra formalisht e libri del për faqe të zezë. Mungon kujdesi i institucioneve, por në radhë të parë kujdesi i shtetit”, tha ai.