Kreu i PD, Sali Berisha ka hedhur akuza kundër kreut të qeverisë Edi Rama për keqmenaxhimin e energjisë në vendin tonë.
Gjatë fjalës së tij në takimin me banorët e Gjirokastrës, Berisha tha se Rama ua shet energjinë tregtarëve vendas me 40 euro për megavat. Duke shtuar se këta tregtarë më pas e shesin në treg me 140 euro, ndërsa diferencën prej 100 eurosh, e ndajnë me qeveritarët.
Më tej, Berisha deklaroi se qeveria i ka kthyer pasuritë tona natyrore në fatkeqësi.
“Një qeveri e cila pasuritë tona në vend që t’i kthejë në mirësi për ne, në burime për ne i ka kthyer në mallkim dhe fatkeqësi për ne. Merrni naftën, merrni turizmin, që të gjitha për shkak të rregullave mafioze që ndjekin, janë shndërruar në pasuri të një grupi të vogël. Çfarë ndodh me shqiptarët. Të supozojmë se këtë vit kanë ardhur 7 mln turistë, kujt iu rritën rrogat nga paratë që sollën. Kush përfitoi prej tyre.
Kemi prodhuar vjet 9 terravat energji, shifër e jashtëzakonshme. Maksimumi i konsumit është 7 terravat. Kjo falë strategjisë tonë për ndërtimin e HEC-eve. Çfarë përfitojnë shqiptarët, rritjen e tarifave nga një njeri që i gënjen pa u shqetësuar fare që nuk kemi energji. Kur t’i zbraz digat për të vjedhur, nuk blen në atë periudhë energjinë e HEC-eve private, kjo ndodh. Shqiptarët nuk kanë asnjë shkak të vuajnë nga mungesa e energjisë. Përkundrazi, e ka shndërruar në një ndëshkim për shqiptarët.
Sepse shet me 40 euro megavatin dhe e blen me 130, 180 ose 280 euro. Ia shet një tregtari vendas 40 euro, se kështu e kemi liberalizuar tregun. Ky që e blen me 40, ky e shet në treg me 140 dhe 100 që fiton i ndan me qeveritarin. Kjo është pasuri e qytetarëve, jo e qeveritarëve. Edhe një arritje të madhe që patëm, sepse kemi vuajtur shumë për energjinë. Në datën 2 janar rriti çmimin për furrat e bukës, nga 71 në 225 lekë. Çfarë bëri me këtë, dënoi çdo qytetar shqiptar. Ne jemi kombi që patëm rritjen më të lartë të çmimit të bukës në Europë”, tha Berisha.