Në Tiranë, në ambientet e Ministrisë së Turizimit dhe Mjedisit u zhvillua prezantimi i ekipit të ekspertëve ndërkombëtarë dhe vendas, të mobilizuar për përgatitjen e dosjes teknike për shpalljen e lumit Vjosa dhe degëve të saj me rrjedhje të lirë, Park Kombëtar.
Takimi u zhvillua në praninë e Ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, me pjesëmarrjen e Drejtorit Ekzekutiv (CEO) të shoqërisë Patagonia Ryan Gellert, si dhe ekipit të mbi 30 ekspertëve, nga Shqipëria dhe disa vende të botës – me ekspertizë në fusha të ndryshme si eko-turizmi, gjeomorfologjia, ekologjia, planifikimi dhe menaxhimi i zonave të mbrojtura, financimi i qëndrueshëm i parqeve kombëtare, legjislacioni mjedisor, vlerësimi i ndikimit social dhe në mjedis, konsultimi me grupet e interesit, si dhe komunikimi publik.
Në nisje të takimit, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro shprehu përkushtimin dhe mbështetjen e plotë në çdo hap të procesit ndërsa tha: Ky është moment pozitiv që na bën të ndihemi krenarë! Kemi mbledhur ekspertët më të mirë në nivel global dhe lokal, me aftësi dhe përvojë të thelluar, të cilët jemi të bindur do të arrijnë në gjetjen e zgjidhjeve më të mira afatgjata, jo vetëm për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar, por edhe për të garantuar një zhvillim të qendrueshëm përgjatë gjithë zonës. E ftoj dhe inkurajoj ekipin e punës të përdorë ekspertizën dhe aftësitë profesionale dhe, përmes këtij projekti, të gjithë së bashku të nxjerrim vlerat më mira për natyrën, për komunitetet dhe ekonominë.
Drejtori Ekzekutiv (CEO) i Patagonias, Ryan Gellert shprehu besimin se projekti do të garantojë përfundimisht mbrojtjen e Vjosës por edhe krjimin e një produkti final, si një praktikë që mund të ndiqet globalisht.
“Shqipëria është rasti i parë në Europë, ku po krijohet një park kombëtar i një lumi të egër dhe, shpresa jonë e përbashkët është që ta përsërisim këtë model edhe në vende të tjera,”- tha ai.
Grupi i ekspertëve do të drejtohet nga Adelina Greca, Koordinatore Kombëtare e projektit, dhe Andrej Sovinc, Koordinator Ndërkombëtar.
Pjesë e punës së ekipit të ekspertëve është vizita studimore përgjatë gjithë zonave të rrjedhës së Vjosës shoqëruar me takime konsultative me grupet e interesit, komunitetet lokale dhe operatorët turistikë.
Puna e ekspertëve do të finalizohet pas kalimit të disa fazave të rëndësishme shkencore, teknike dhe konsultative. Gjatë këtij procesi do të përcaktohen kufitë e zonës së parkut ndërsa do të parashikohen mënyrat e menaxhimit, zhvillimi i eko-turizmit, si dhe gjetja e mundësive për financimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të parkut në të ardhmen.
Procesi i punës, i ndërtuar në faza, parashikon përfshirjen e të gjithë degëve me rrjedhje të lirë që derdhen në lumin e Vjosës, kombinuar me zgjerimin e mbrojtjes së natyrës në territoret me pronësi publike dhe jopublike rreth tij. Parashikohet që deri në fund të këtij viti (dhjetor 2022) të përfundohet puna e dokumentimit të hartës paraprake të parkut të ardhshëm për të vijuar më pas punën me procesin e shpalljes zyrtare të fazës së parë të Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa.
/Euronews