Një grabitje me dhunë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:00 në Lushnjë në vendin e quajtur Pushimi i Shoferit.
Burime për mediat bëjnë me dije se dy persona të maskuar kanë ndaluar një makinë tip ‘Benz’ dhe pasi e kanë detyruar që të zbresë e kanë dhunuar, i kanë marrë makinën dhe janë larguar në drejtim të Fierit.
Drejtuesi i makinës është banor i fshatit Sopez të bashkisë Divjakë dhe ka njoftuar menjëherë policinë, e cila ka ngritur postoblloqe, por nuk ka arritur që të kapë autorët.
Ndërkohë, mësohet se zona ku ka ndodhur grabitja është mbuluar me pamje nga shumë kamera sigurie të bizneseve përrreth e cila mund të ndihmojë policinë për identifikimin e autorëve të grabitjes.
Njoftimi i policisë
Mbrëmjen e djeshme, kallëzon shtetasi M. P., banues në Divjakë, se në vendin e quajtur “Pushimi i shoferit”, Lushnjë, persona të paidentifikuar, i kanë marrë me dhunë, automjetin tip “Benz”, me të cilin po udhëtonte. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.