Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj po zhvillon një konferencë ditën e sotme ku ka folur për ekonominë dhe rritjen e çmimeve në vendin tonë.
Gjatë fjalës së saj, Ibrahimaj tha se ekonomia e vendit tonë është nën kontroll duke shtuar se e përballuam mjaft mirë goditjen që pësuam duke iu referuar kështu luftës në Ukrainë. Më tej ajo thekson se presim reduktim të normave të inflacionit, ndërkohë që shton se në 6 muajt e parë të 2022 u ul papunësia, ndërsa punësimi u rrit me 3.6%.
“Lufta në Ukrainë ka ndikuar negativisht në ekonominë e vendit tonë. Por pavarësisht problemeve në pjesën tjetër të botës ekonomia shqiptare performoi pozitivisht. Goditja globale nga kahu i ofertës sigurisht që ka pasur dhe do ketë një ndikim negativ në ekonominë tonë, siç ka pasur në vendet e rajonit e më gjerë. Deri tani ekonomia e ka përballuar mirë. Rritja ekonomike në gjysmën e parë 2022 4.2%.
Papunësia u ul në 11.3 % në 6 muajt e parë. Punësimi u rrit me 3.6% në gjysmën e parë të vitit. Kemi pasur një rritje me 35% në flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte. Aktualisht leku është nënçmuar me 8% ndaj dollarit dhe mbiçmuar ndaj euros me 4%.
MF ka parashikuar të rrisë projeksionin në 3.6% nga 3.2% që ishte për rritjen ekonomike. Nëse ndodh një skenar i plotë recesioni në vendet partnere të BE-së, ndoshta dhe rritja e vitit të ardhshëm mund të jetë me ulët se 2%. Balanca totale e risqeve anon më tepër në kahun negativ. Gjasat për recesion të ekonomisë sonë vitin e ardhshëm duken të ulëta. Ne do të jemi vigjilentë për çdo skenar dhe kemi plane alternative përshtatjeje.
Inflacioni në Shqipëri krahasuar me vendet e rajonit dhe mesataren e BE-së ka qenë ndjeshëm më i ulët. Në gusht 8% inflacioni”, tha Ibrahimaj.