Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj pas mbledhjes së qeverisë bëri me dije se gjatë mbledhjes u shqyrtua projekt buxheti për vitin 2023. Gjatë këtij viti parashikohet që ekonomia shqiptare të rritet me një normë prej 2.6 % në terma realë dhe 5.7% në terma nominalë. Nga ana tjetër gjatë viti të ardhshëm parashikohet që inflacioni të fillojë të ngadalësohet duke arritur në një nivel mesatar prej 3.6%.
Për sa i përket amnistisë fiskale, Ibrahimaj bëri me dije se ende nuk ka një datë për miratimin e këtij ligji.
Ibrahimaj: Projektbuxheti do tu prezantohet në detaje në javët në vijim për çfarë parashikon. Ky buxhet do të vijojë që të mbështesë energjinë elektrike, pra mosrritjen e çmimit për energjinë elektrike që mos të preken konsumatorët dhe bizneset e vogla.
Amnistia fiskale është një ligj i veçantë dhe nuk është parashikuar në projekt buxhetin që miratuam. Është ende në konsultim publik me partnerët ndërkombëtarë dhe nuk kemi ende një datë për miratimin e këtij ligji.
Roli i Presidentit të Republikës është që të thërrasë komitetin e sigurisë kombëtare. Diskutuam për sigurinë kibernetike ku çdo institucion raportoi mbi masat e marra, nivelin e goditjes dhe masat që do të merren në vijim.