Gjatë ditës së sotme është mbledhur Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, ku si temë ka qenë zgjedhjet lokale dhe nëse PD duhet që të dalë me një kandidat për kryebashkiak. Grupi Parlamentar përmes një deklarate nënvizon se duhet që PD duhet të jetë e bashkuar në mënyrë që të fitojë në zgjedhjet lokale.
Nga kjo mbledhje është mandatuar Gazmend Bardhi për të negociuar me grupin e Rithemelimit të udhëhequr nga kreu i PD-së Sali Berisha dhe pjesën tjetër të opozitës. Në deklaratë, theksohet se qëllimi është që opozita të dalë e bashkuar në zgjedhje.
Deklarata e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike:
Pas diskutimeve në Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike, deputetët në mënyrë unanime shprehën vullnetin e plotë dhe të sinqertë për të gjetur format e duhura të bashkëpunimit për zgjedhjet lokale fillimisht duke nisur me të gjithë Partinë Demokratike dhe me çdo faktor opozitar.
Në vlerësimin e Grupit Parlamentar të PD zgjidhje e vetme për t’u përballur me regjimin e Edi Ramës në zgjedhjet lokale është bashkimi i çdo zëri opozitar dhe përballja me një kandidat të vetëm të PD dhe opozitës në zgjedhje.
Me qëllim diskutimin e çdo mundësie të sinqertë për bashkëpunim, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka mandatuar zotin Gazment Bardhi për të kontaktuar dhe për të hulumtuar çdo mundësi bashkëpunimi dhe daljes në zgjedhje lokale me një kandidat të vetëm të PD dhe opozitës.
Grupi Parlamentar i PD-së shpreh gatishmërinë për të nisur që sot nga puna për të gjetur modalitetet e bashkëpunimit mes demokratëve në zgjedhjet lokale.