Dikur një nga figurat më të dashura të ekranit shqiptar, sot Amarda Toska e njohur nga të gjithë si Ami, është shkëputur nga televizioni duke u marrë vetëm me biznes. Së fundmi, moderatorja ka realizuar një intervistë për “Prive”, ku ka shuar kureshtjen në lidhje me disa tema. Një ndër to, nuk kishte si të mos ishte rikthimi i saj në televizion. E pyetur nëse do ta shohim ndokund këtë sezon të ri, Ami premtoi surpriza.
“Rikthimin edhe këtë vit nuk do ta kemi në ekran. Do jem në ekran në disa dalje televizive, gjithmonë si e ftuar, me disa dalje speciale. Megjithatë jo për një sezon të plotë edhe këtë vjeshtë,”-tregoi Amarda.
Përpos karrierës së saj të gjatë në ekran, Ami është edhe një ‘businesswoman’ e zonja. Mirëpo mesa duket, kur bëhet fjalë për punë, ajo Ami e qeshur dhe e dashur nuk ekziston. Madje Toska e etiketoi veten si një shefe të “egër”. Pyetjes a do e duroje veten si shefe, Amarda iu përgjigj:
“Disa herë nuk e kam qejf veten fare kur e kthej personazhin tim përballë dhe i bëj këtë pyetje. Në disa raste nga roli që duhet të kem dhe misioni që kam disa herë dal nga vetja. Kam një imazh shumë të qetë në publik, megjithatë në zyrë jam tjetër njëri dhe në disa raste nuk do doja ta kisha veten shefe.”
Ami dhe Ermal Mamaqi janë një ndër çiftet më të preferuara të showbiz-it. Dyshja kanë dy fëmijë Noelin dhe Sian, që jo pak herë i kemi parë në llogarinë e tyre në ‘Instagram’.
E pyetur në këtë intervistë mbi momentet më të vështira si nënë, Ami veçoi njërin me vajzën e saj Sia-n asokohe 1 vjeçe.
“Frika më e madhe ka qenë një moment i sikletshëm kur vajza jonë ka pasur një djegie në moshën 1-vjeçare. Fatmirësisht e kaluam, por atëherë ishte një frikë shumë e madhe sepse ti do ta ndihmosh me gjithë qenien tënde, por nuk ke ç’bën për atë gjë që tashmë është bërë”,-përfundoi Amarda.