Plakemi. Shohim orët të kalojnë. Por për fizikanët “ajo gjë” që matet me orët është një iluzion. Ajo që një pjesë e fizikës bashkëkohore arrin të na sugjerojë sot është e vështirë të pranohet, po aq sa ishte e vështirë të pranoheshin hipotezat e Kopernikut në kohën kur u shfaqën. Eshtë ideja që koha, thjeshtë nuk ekziston. Që ajo gjë të cilën ne të gjithë besojmë se e njohim, që matet me sahatet, ajo që ndan të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, është vetëm një iluzion. Ashtu si lëvizja e Diellit përreth Tokës
Pas disa shekujsh, ndoshta dikush do të lexojë artikuj si ky dhe do të shkrihet së qeshuri. Sa të paditur ishin në fillim të shekullit XXI, do të mendojë, ende nuk e dinin që koha nuk ekziston. Pak a shumë siç qeshim ne me paraardhësit tanë që mendonin që Toka ishte ndoshta e sheshtë, apo që Dielli rrotullohej përreth saj. Sepse ajo që një pjesë e fizikës bashkëkohore arrin të na sugjerojë sot është e vështirë të pranohet, po aq sa ishte e vështirë të pranoheshin hipotezat e Kopernikun në kohën kur u shfaqën. Eshtë ideja që koha, thjeshtë nuk ekziston. Që ajo gjë të cilën ne të gjithë besojmë se e njohim, që matet me sahatet, ajo që ndan të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, është vetëm një iluzion. Ashtu si lëvizja e Diellit përreth Tokës.
Këtë na thotë sot fizika për “kohën” e saj. Pastaj është ajo e filozofisë, e psikologjisë dhe e artit, ajo e evolucionit dhe ajo e rrëfimit. E ardhmja dhe e kaluara janë reale si e tashmja? A kalon koha kur asgjë nuk ndryshon? A është e mundur të udhëtosh në kohë? A ekzistonte koha përpara Big Bang-ut? Cilat mekanizma neuronalë shpjegojnë eksperiencën tonë të kohës? Koha është e pafundme? A e perceptojmë kohën të gjithë në të njëjtën mënyrë?
“Në historinë e fizikës ka ndodhur shumë herë që na është dashur të heqim dorë nga koncepte të zakonshëm për të përshkruar botën në nivel më elementar”, shpjegon Carlo Rovelli, i Qendrës së Fizikës Teorike në Universitetin e Marsejës, një prej fizikanëve teorikë më të mëdhenj bashkëkohorë. “Për shembull ne e shohim botën me ngjyra, por atomet nuk janë me ngjyra. Eshtë vetëm reagimi ynë ndaj frekuencës së valëve elektromagnetike. Apo ngrohtësinë. Një herë e një kohë mendohej që ishte ndoshta një substancë, më pas u kuptua që është vetëm një masë e shpejtësisë së ngacmimit të molekulave. “Substanca” ngrohtësi është zhdukur nga perceptimi ynë. Mendoj që në të njëjtën mënyrë do të zhduket edhe koha”.
Kjo nuk do të thotë që mund të udhëtojmë sipas dëshirës mes të kaluarës dhe të ardhmes: nuk do të ketë makinë kohe, të paktën jo në pjesën e universit dhe në shkallën ku jetojmë ne. Por do të thotë diçka edhe më radikale: që kur shpërbëhet universi në pjesët e tij më elementare, koha thjeshtë zhduket, ashtu si dhe ngjyrat. “Por në shkallën tonë cilësitë e dukshme të kohës mbeten të pandryshuara”, sqaron Rovelli. “Zbulojmë që në shkallë shumë të vogël koha nuk ekziston, por kjo nuk ndryshon asgjë për faktin që ne plakemi”. Rovelli është një prej themeluesve të Loop Quantum Gravity. Eshtë normale që emri të tremb. Mjafton të thuhet që është një prej teorive kandidate për të zgjidhur problemin e madh të fizikës bashkëkohore: të vësh në një linjë relativitetine përgjithshëm dhe mekanikën kuantike, dy kështjellat teorike që gjatë shekullit të njëzetë kanë shpjeguar Universin në shkallë të ndryshme (pafundësisht i madh dhe forcën e gravitetit e para, pafundësisht i vogël dhe forcat e tjera, e dyta), por që nuk kanë një terren të përbashkët. Dhe natyra e kohës është pikërisht një prej pengesave për t’i ribashkuar.
Në mekanikën kuantike, e cila përshkruan sjelljen e thërrmijave elementare, ekziston një kohë absolute, një lloj sahati universal që vë në një linjë ngjarjet. Mund të thuhet gjithmonë nëse një gjë ndodh më herët a më vonë, mund të matet me siguri kohëzgjatja e një ngjarje dhe koha ecën gjithmonë në një drejtim të vetëm. Pra, koha me të cilën jemi mësuar. Por në relativitetin e Albert Einsteinit, gjërat janë ndryshe: koha nuk është absolute, por mund të tkurret dhe fryhet sipas shpejtësisë me të cilën ecën. Sa më e lartë shpejtësia, aq më ngadalë ecën koha. Eshtë paradoksi klasik i dy binjakëve: ai që bën një udhëtim me një anije kozmike hipotetike e cila udhëton afërsisht me shpejtësinë e dritës, kur kthehet është më i ri se sa ai që ka qëndruar në Tokë. Por edhe graviteti e shtrëmbëron kohën, aq sa është e pamundur të mbash të sinkronizuar në përsosmëri dy orë atomike, s’ka rëndësi sa të sakta janë, sepse mjafton një ndryshim në lartësi mund të sjellë dallime të vegjël.
Si mund të dilet? Sipas Rovellit, duke u hedhur vendosmërisht në anën e Einsteinit, dhe duke e sjellë teorinë e tij në pasojat ekstreme. “Pas njëqind vitesh suksese të relativitetit, është koha të marrim seriozisht idenë që koha është vetëmnjë strukturë dytësore që shfaqet nga fushat e fizikës”. Në mënyrë të vecantë nga forca e gravitetit, protagonistja e vërtetë e teorive të Einsteinit, të cilave të gjitha ua shohim efektet në një shkallë të madhe, por të cilave nuk u gjendet asnjë gjurmë në nivelin e grimcave elementare. Për të kuptuar se nga vjen, sipas Rovellit, duhet shkuar në shkallë edhe më të vogla, shumë më të vogla se sa vetë ato grimca (dhe të pakapshme nga cdo instrument matës, përvec hipotezave matematike). Ku do të zbulohej një realitet i përbërë nga “unaza”, “loop-e” pra, njësi shumë të vogla graviteti, të ndërlidhura mes tyre si në një rrjet.
Praktikisht të pamundura për t’u kuptuar pa matematikën, por cështja është që nga ekuacionet e kësaj teorie, që duhet të përshkruajnë gjithcka që ndodh në univers, koha zhduket. Në shkallë shumë të vogël, të gjithë cilësitë që ne i lidhim me kohën zhduken, shpjegon Rovelli: nuk ka më një drejtim të ngjarjeve dhe është e pamundur të matet jetëgjatësia e tyre. Do të gjendeshim përballë ligjeve të fizikës që nuk bëjnë dallimin mes të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes, të treja njësoj “reale”.
Fizikani italian nuk është i vetmi që do të mbyllë një herë e mirë hesapet me kohën. Tre vjet më parë, Foundational Questions Institute, një fondacion amerikan që financon kërkimet në nivele mikro, lançoi një konkurs për studime mbi kohën, me pjesëmarrjen e më shumë se 130 akademikëve nga e gjithë bota, mes të cilave disa prej emrave më të spikatur të fizikës teorike. Propozimi i Rovellit ishte ndër më radikalët, por edhe shumë të tjerë luanin me idenë që koha nuk ekziston. Propozime të tjere kërkonin një ripërcaktim të kohës më shumë se sa një shkatërrim të saj. Por të gjithë binin dakord në një pikë: për të mbërritur në një teori që të shpjegojë më në fund të gjithë fenomenet e Universit, fizikanët do të jenë të detyruar të kthejnë mbrapsht konceptin e kohës si një corape.
E mendon kështu edhe Giovanni Amelino-Camelia i Universitetit La Sapienza të Romës, një tjetër italian protagonist i fizikës teorike botërore me Doubly Special Relativity e tij “relativiteti dyfish i veçantë”. Eshtë një evolucion i teorisë së Einsteinit, bazuar mbi idenë që përtej shpejtësisë së dritës ekziston një tjetër konstante absolute në univers, e ashtuquajtura gjatësia e Planck, njësia më e vogël e mundshme e gjatësisë. “Kjo teori nuk nisi me objektivin për të vënë në diskutim kohën, por pa dashur jemi gjendur edhe ne duke përshkruar një univers ku ajo nuk ekziston”, shpjegon Amelino-Camelia: “Edhe kamerdarja e fundit e shpëtimit që ka hedhur Einstein, ideja që në kushte shpejtësie dhe graviteti të barabartë mund të thuhet nëse dy ngjarje janë të njëkohshme, humbet. Në realitet nuk ka mënyrë për ta ditur me siguri”.
Atëherë, prej nga buron perceptimi ynë për kohën? Për Rovellin, është vetëm një efekt statistikor: ashtu si nxehtësia dhe mënyra se si shqisat tona masin shpejtësinë e molekulave, edhe koha është një mënyrë që kemi ne qeniet njerëzore për të përshkruar ndryshimin, në mënyrë të vecantë transformimet e masës dhe energjisë në botën ku jetojmë. “Për të përshkruar një turmë manifestuesish që sfilojnë në rrugë ne themi “manifestimi mbërriti në sheshin X”, shpjegon Rovelli duke dhënë një shembull. “Por nuk ekziston një objekt unik “manifestimi”. Ekzistojnë vetëm manifestuesit e vecantë. Koha është një nocion kolektiv i këtij lloji, efikas për të përshkruar botën në shkallën tonë. Nëse do të mund të njihnim me saktësi të gjithë variablat fizike, nuk do të na duhej”. Pa e kuptuar, shpjegon Rovelli, ne grupojmë disa variabla të botës, në mënyrë të vecantë ato që përshkruajnë gjendjen e saj termike, dhe vendosim t’i përdorim si “sahat” për të referuar gjithcka tjetër. Por është vetëm një konvencion. Pak a shumë si paraja, që nuk ka një vlerë në vetvete, por që mundëson përllogaritjen e vlerës së gjithë mallrave të tjerë.
Sipas Craig Callender, filozof i Universitetit të Californias që ia ka kushtuar të gjithë karrierën eksplorimit të filozofisë dhe fizikës së kohës, perceptimi ynë për të është më shumë një rezultat i evolucionit, se sa i fizikës. Buron nga fakti që kemi evoluar në një qoshe të Universit me disa karakteristika që e bëjnë kohën konstante dhe të parashikueshme: shpejtësi shumë më të ulëta se sa ajo e dritës, gravitete pak a shumë uniformë, një burim energjie konstant si Dielli. “Na duket e mirëqenë që “tani” do të thotë e njëjta gjë për dy persona në distancë, ndryshe nga “këtu”, që tregon dy gjëra të ndryshme. Por nëse do të mendonim që të lëviznim me shpejtësi shumë më të larta, koha do të na dukej subjektive si hapësira”.
Megjithatë, jo e gjithë fizika është e gatshme të lirohet nga koha. Nuk është gati të lirohet konkurentja tjetër e madhe për titullin e Teorisë përfundimtare, teoria e fijeve. Krijuar nga fizikani italian Gabriele Veneziano në fundin e viteve Gjashtëdhjetë, kjo teori mbështetet mbi mekanikën kuantike dhe përshtat relativitetin atje ku është e nevojshme, pikërisht e kundërta e asaj që bën Rovelli.
Të dy teoritë kanë problemin e madh, ndoshta të pazgjidhshëm, të gjetjes së konfirmimeve eksperimentalë. Amelino-Camelia shpreson që eksperimente si ata të LHC (akseleratori gjigand i grimcave në Cern, në Gjenevë) mund të shohin të paktën ndonjë efekt të largët indirekt të fenomeneve në shkallë shumë të vogël. Ndërkohë që neutrinët e famshëm më të shpejtë se sa drita që janë vëzhguar në Laboratorët e Gran Sasso, nëse rezultati konfirmohet, mund të hapin një dritare mbi ekstradimensionet hipotetikë si ata për të cilët flet teoria e fijeve. Eshtë rasti të thuhet që vetëm koha do të tregojë kush ka të drejtë.
/bota.al