Gjermania tha se do të dërgojë në Ukrainë katër sistemet e para të mbrojtjes ajrore të llojit IRIS-T SLM. Këto sisteme do të arrijnë në Ukrainë “brenda ditësh”.
Ky njoftim i Berlinit erdhi në ditën kur Rusia sulmoi disa qytete ukrainase, duke vrarë civilë.
“Sulmet e reja me raketa në Kiev dhe në qytete të tjera të mëdha, e kanë bërë të qartë se sa e rëndësishme është që në Ukrainë të dërgohen shpejt sisteme të mbrojtjes ajrore”, tha ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, përmes një deklarate më 10 tetor.
Ky njoftim erdhi disa orë pas sulmeve në Ukrainë.
“Sulmet me raketa dhe dronë rusë fillimisht terrorizojnë popullatën civile. Prandaj, ne po i mbështesim ata me armë kundërajrore”, shtoi ajo.Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se sulmet janë në kundërpërgjigje të veprimeve të Kievit, që ai i cilësoi “terroriste”, përfshirë edhe sulmin gjatë fundjavës në urën kyçe që lidh Rusinë me Gadishullin e aneksuar të Krimesë. Policia kombëtare ukrainase tha se të paktën dhjetë persona janë vrarë dhe 60 janë plagosur nga sulmet ajrore.
Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt./rel