Zgjedhjet 2023/ PD: Demokratët mos të vendosin kushte por të sjellin kandidat më të mirë se mazhoranca

Deputeti i PD, Dashnor Sula ka reaguar në lidhje me zgjedhjet vendore 2023.

Sula në ‘Facebook’ shkruan se qëllimi i PD është që të dalë në zgjedhje me një kandidat të përbashkët më të mirë se ata të mazhorancës.

Sakaq shton se demokratët nuk duhet të vendosin kushte pasi e dëmton opozitën dhe favorizon partinë në pushtet.

Postimi i plotë:

Opozita me kandidat të përbashkët!

Të gjithë deputetët e grupit parlamentar të PD janë në parlament me votat e demokratëve. Ndaj në zgjedhjet lokale do të ishte gabim i rëndë të përsërisnim papjekurinë e 6 Marsit. Bashkimi i PD në një qëllim të vetëm: ti japim demokratëve një kandidat të përbashkët më të mirë se ata të mazhorancës duhet të jetë obligimi i të gjithëve neve. Ditët e fundit ka patur sinjale pozitive brenda nesh që në këto zgjedhje që janë më afër qytetarëve të lemë mënjanë mosdakordësitë brenda vetës dhe tu paraqitemi demokratëve dhe shqiptarëve me një kandidat të vetëm. Në këtë aspekt të gjithë duhet të bëjmë përpjekjet maksimale që ta çojmë përpara këtë frymë pa vendosur kushte. Në këtë frymë u caktua sot edhe z. Bardhi për të diskutuar me pjesën tjetër të kolegëve tanë. Nga ne nuk ka kushte në përpjekjen për të gjetur rrugën e duhur për të dalë përballë kundërshtarit tonë politik Edi Rama me nje kandidat të përbashkët.

Kjo do duhet të ndodhë edhe me pjesën tjetër të grupit tonë. Vendosja e kushteve apo e parakushteve ndihmon vetëm partinë në pushtet. Jo vetëm demokratët por të gjithë shqiptarët nuk e meritojnë keq qeverisjen nga kjo mazhorancë. Ndaj edhe neve duhet të na shqetësojë kjo gjë e të gjithë së bashku të bëhemi alternativë. Si një familje e cila pavarësisht mërive të momentit në kohëra të vështira bëhen bashkë, ashtu edhe ne si një familje e madhe në kushtet kur të gjithë pushtetet janë përqendruar në një dorë dhe shqiptarët po detyrohen të largohen çdo ditë, duhet të lemë mënjanë interesat e ngushta e duhet të bashkohemi për ti kthyer pushtetin lokal qytetarëve duke u bashkuar.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *