Andi Allushi shqiptari i cili zgjodhi të largohet nga Shqipëria drejt Britanisë në mënyrë ilegale, ka treguar se si e ndërmori këtë hap për të siguruar një jetë më të mirë për familjen e tij.
Allushi për ‘Opinion’ tha se për të shkuar në Britani kishte paguar 3500 paund, para të cilat siç u shpreh prej që t’i nxjerrë duke punuar në ndërtim.
Biseda e plotë:
Pse u nise drejt Britanisë?
Andi Allushi: Për një jetë më të mirë… Kam jetuar në Gjermani, u riktheva nuk m’i rinovuan dokumentet dhe për arsye ekonomike u detyrova të shkoja prap.
Çfarë të bën të besosh që do i marrësh në Britani?
Andi Allushi: Nuk është se kam shpresë që mund të marr dokumente, por që eci me idenë për të ndihmuar familjen time, që fëmijët e mi të mos i mungojë asgjë. Sepse duke jetuar në Shqipëri e dimë shumë mirë të gjithë se çfarë na jep Shqipëria.
Andi ke udhëtuar me gomone, sa pagove për të gjithë këtë operacion?
Andi Allushi: Vetëm rruga më ka kushtuar 3500 paund.
Dhe çfarë pune do të bësh në Angli?
Andi Allushi: Për momentin po punoj në ndërtim.
Dhe duke punuar në ndërtim e nxjerr këtë shpenzim të investimit që ke bërë?
Andi Allushi: Normalisht po.
Ke shpresë të marrësh gruan dhe fëmijën?
Andi Allushi: Të them të drejtën kam shpresë, por me gomone jo është shumë e vështirë. Kam parë tmerr me familjarë me fëmijë të vegjël. Kam parë nënë me foshnje, nuk i kishte 1 vjeç fëmija. 8 orë, ka pasur raste ka shkuar edhe nga 12 deri në 13 orë. Kishte lloj-lloj kombësie, afganë, arabë, iranianë, irakenë.