Florian Përvathi, 17-vjeçari i cili në muajin janar vrau për gjakmarrje bashkëfshatarin e tij Lek Lekgjonaj është dënuar me 8 vite burg nga Gjykata e Lezhës.
I riu u shpall fajtor për veprat penale “Vrasje për gjakmarrje” dhe “Mbajtja pa leje mbajtja pa leje e armeve dhe municioneve luftarak”. I konsideruar i mitur, pasi është nën moshën 18-vjeç, ai u dënua me 12 vjet burg, maksimumin e parashikuar nga ligji për moshën. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi u ul me 1/3 në 8 vjet. Të njëjtën masë dënimi kishte kërkuar edhe prokuroria e cila arriti të provojë, bazuar në rrëfimin e autorit se 17-vjeçari e ka kryer krimin me paramendim për gjakmarrje, pasi vëllai i viktimës i kishte vrarë babanë në vitin 2009, kur ai ishte vetëm 4-vjeç.
I riu gjithashtu ka pranuar se armën tip pistoletë e kishte siguruar në Shkodër rreth 1 vit para ngjarjes.
Risjellim në vemendje se Florian Përvathi ekzekutoi me armë zjarri bashkëfshatarin e tij Lek Lekgjonaj, mesditën e 24-janarit të këtij viti në fshatin Manati të Lezhës, sapo viktima kishte hyrë me makinë në oborrin e shtëpisë së vëllait të tij. Menjëherë pas krimit ai u vetëdorëzua në polici duke pranuar autorësinë dhe treguar motivet e ngjarjes.
Ndërkohë, në vitin 2009, babai i Florianit, Gjon Përvathi ishte vrarë nga vëllai i Lekë Lekgjonajt, Ndue Lekgjonaj. Pas vrasjes, Ndue Lekgjonaj u arrestua dhe kreu dënimin për vrasje duke dalë së fundmi nga burgu. Ai nuk u kthye më në fshatin Manati duke iu trembur hakmarrjes nga familja e Përvathit.
Por nuk mbaroi me kaq, tragjedia rëndohet akoma më shumë pasi mamaja e 17-vjeçarit, Martine Përvathi në kushte të rënda psikike, piu fostoksinë, duke vdekur në të njëjtën ditë me të shoqin. Çifti Përvathi lanë pas 4 fëmijë jetimë. Florian Përvathi ishte vetëm 4 vjeç kur humbi babain dhe nënën duke u rritur me sa duket me synimin e vetëm, atë të hakmarrjes ndaj fisit Lekgjonaj, gjë që çoi në krimin e 24 janarit.