Aktori i njohur i humorit Florjan Binaj, është një ndër personazhet publikë që nuk i kursen kritikat ndaj qeverisë. Nisur nga kjo ai shpesh është komentuar dhe aluduar për aktivizimin e tij apo përfshirja në të ardhmen në politikë. Ai ka sqaruar dyshimet, teksa fillimisht shprehu se është i lumtur që shihet si model.
“Nevoja e ka sjellë këtë gjë. Mua më bëhet qejfi që njerëzit gjejnë të unë një model se si duhet të jetë sot qeveria shqiptare. Kam plot shokë, miq, që i quaj motra e vëllezër që ndajmë plotësisht të njëjtat ide. Por mendoj se në 32 vite, ata që janë sot e që kanë qenë dje, kanë krijuar mirë kushtet. Muret i kanë bërë aq të trasha, sa për çdo të ri ose të re, e vetmja mundësi për të hyrë brenda këtyre mureve është të konvertohet si ata. Për momentin nuk e shoh të arsyeshme, besoj se kontributi im më i madh është në art. Në fjalën time të lirë siç e ndjej. Do u thoja të rinjve dhe të rejave të rrinë më pak në TikTok dhe të marrin guximin, të hedhin zërin e tyre sepse më përpara e haje me jetë”- tha Flori në një intervistë në “Abc e Pasdites.”
Një imazh shumë i dashur për publikun, Florjan Binajn e kemi parë tashmë në rolin e moderatorit në emisionin “Piranjat” së bashku me Arilena Arën. Ai shprehu se me Arilenën është takuar vetëm një javë përpara emisionit por janë çuditur nga kimia që kishin me njëri-tjetrin. Gjithashtu, ai rrëfeu se preferon që kujtimet t’i mbajë private. Për pasojë nuk shohim shpesh fotografi me familjen ne rrjetet e tij sociale.
“Fëmijët sikletosen, ngelin si të pikëpyetur. Ndodh shpesh që në rrugë më ndalojnë për foto dhe unë detyrohem t’i heq dorën fëmijëve të mi dhe ti them largohu sa të bëj një foto. Kam filluar të them jo, sepse jam me familjen. Në fund të ditës kam familjen më të shenjtë sesa një fotografi” – tha aktori i njohur.
Ndër të tjera Florjan Binaj zbuloi se do të ketë një rikthim të tij në ekran nën petkun e aktorit apo humoristit, si personazhet që publiku i ka dashur shumë përgjatë karrierës së tij.
Në një segment tjetër të intervistës, Florjan Binaj kategorizoi Bes Kallakun si shokun më të mirë të “Portokalli”. Ndërkohë për Ermal Mamaqin u shpreh se është një njeri jo i vërtetë, dhe se Xhemi Shehu është prezantuesja më e bukur.