Ditën e sotme po zhvillohet mbledhja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Territoriale.
Ekspertët e mazhorancës po propozojnë raportin për ndryshimin hartës territoriale dhe administrative në vend. Teksa prezantonte gjetjet, eksperti i mazhorancës Artan Shkëmbi tha se nuk mund të kishte një ndarje të mirëfilltë territoriale pa bërë më parë studimin e zonave funksionale.
“Nuk ishte e lehtë të realizohej reforma territoriale, ishte çështja më komplekse e realizuar ndonjëherë në Shqipëri. Në vend kishte pasur reforma por asnjëherë një reformë që do sillte një transformim kaq të madh sa reforma territoriale. Për këtë arsye u prezantua një program, u përcaktuan kriteret për bashkitë e reja. U realizua një studim i plotë i të gjitha zonave funksionale në të gjithë Shqipërinë dhe mbi bazën e tyre u krijuan bashkitë e reja.
Sesi u konkludua me numrin e 61 bashkive, ne nuk e dimë por marrëveshjet politike mund të kenë ndryshuar këtë numër me një sasi të vogël të tyre. Por kjo nuk është pjesa që duhet të na interesojë më shumë. Ajo që duhet të na interesojë më shumë është çështja e procesit të ndjekur. Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se nuk mund të ketë një reformë territoriale pa kryer më parë studimet paraprake. Ajo që u quajt zona frunksionale në atë kohë ka të bëjë me faktin ku ndërveprimet e banorëve me institucionet publike apo private, janë të shpeshta. Pra është shumë e rëndësishme të studiohet kjo gjë, cilat janë zonat funksionale. Duhet të krijohet një panoramë e plotë për këtë zona. Të studiohet tregu i punës, punësimi, niveli i papunësisë etj”, u shpreh eksperti Shkëmbi.