Pesë shtetas francezë po mbahen aktualisht në Iran, tha Ministrja e Jashtme franceze Catherine Colonna, pasi Parisi tha javën e kaluar se po kontrollonte nëse një shtetas i pestë francez ishte arrestuar gjatë protestave në vend.
Franca javën e kaluar u bëri thirrje qytetarëve të saj që të largohen nga Irani sa më shpejt të jetë e mundur, duke thënë se ata ishin në rrezik të ndalimit arbitrar.
“Unë do të flas me ministrin e jashtëm iranian këtë pasdite për të kërkuar përsëri lirimin e menjëhershëm të të gjithë bashkatdhetarëve tanë që ndodhen në Iran. Aktualisht janë pesë prej tyre,” tha Colonna për radion France Inter më 11 tetor.
Protestat shpërthyen në Iran pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini, e cila vdiq ndërsa ishte në paraburgim nga policia morale e Iranit, pasi u arrestua për veshjen e “pahijshme” të hixhabit.
Irani ka akuzuar vazhdimisht forcat e jashtme për nxitjen e protestave, pa ofruar asnjë provë për të mbështetur pretendimin e tij.
Më 6 tetor, agjencia shtetërore e lajmeve IRNA publikoi një video që tregonte dy shtetas francezë, Cecile Kohler dhe Jacques Paris, duke “rrëfyer” se ishin spiunë dhe nxitnin trazira në Iran. Franca e quajti videon “të turpshme”.
Kohler dhe Paris u arrestuan në fillim të majit në Teheran ndërsa ishin me pushime. Zyrtarët iranianë nuk kanë ofruar asnjë provë publike për të mbështetur akuzat për spiunazh.