Është identifikuar 55-vjeçari shqiptar i cili ndërroi jetë në një aksident tragjik ditën e djeshme në zonën e Erbuscos në Itali.
Sipas mediave italiane, bëhet fjalë për Rasim Mukën, i cili në momentin e aksidentit fatal ishte duke udhëtuar si pasagjer në makinën tip Fiat Punto që drejtohej nga vëllai i tij rreth 60 vjeç. Fiat Punto-ja e vjetër e drejtuar nga vëllai i viktimës do të kishte rrëshqitur në kthesë, duke pushtuar pjesërisht korsinë e kundërt, pikërisht në momentin që ka ardhur furgoni Volkswagen që drejtohej nga një 61-vjeçar italian.
Përplasja ka qenë fatale për Mukën ku dhe pse pati një ndërhyrje të menjëhershme të ekipit mejkësor me dy autoambulanca nga Adro dhe Bornato, të cilët transportuan dy të plagosurit në spitalet e Chiari dhe Ome, fatkeqësisht për Mukën nuk mund të bëhej asgjë për ta shpëtuar pasi kishte ndërruar jetë në vend.
Në vendin e aksidentit mbërritën edhe vëllezërit e tjerë të Rasimit së bashku me djalin e tij (familja Muka jeton në Castrezzato). Rruga mbeti e mbyllur për një kohë të gjatë, për të lejuar operacionet e shpëtimit dhe të sigurisë.