Godinat e reja për studentët e Mjekësisë, Veliaj: Subvencionojmë tarifën e konviktit dhe abonetë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka vizituar dy godinat e konvikteve të Fakultetit të Mjekësisë.

Veliaj tha se në këto godina do të akomodohen rreth 400 studentë, u theksoi se qeveria do të ndërmarrë nismën për të subvencionuar çmimin e akomodimit.

Ndër të tjera shtoi se studentëve do t’i lehtësohet dhe pjesa e abonesë së transportit.

“Kemi kaluar gjithë gushtin dhe fillimin e shtatorit për t’u bërë gati për shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet, por siç e kërkon rendi i punëve, shtatorin dhe fillimin e tetorit e kemi shfrytëzuar për t’u bërë gati për të pritur studentët. Për ata që pyesin se ‘çfarë janë këto dy ndërtesat e bukura te “Farmacia 10”’ shumë njerëz mendojnë gabimisht se gjërat e bukura i bën vetëm dora e privatit, pra godina me ashensorë, ndriçim LED dhe energji diellore për ngrohje por në fakt këto janë ndërtesa publike, janë dy godinat e reja ultra moderne me nga 200 studentë secila, për Fakultetin e Mjekësisë. Kemi zgjedhur t’i bëjmë po këtu, duke qenë se fakulteti është afër, po ashtu edhe Qendra Spitalore Universitare, ku mund të kryejnë praktikat.

Siç kemi bërë me kopshtet e çerdhet, ku bashkia e subvencionon, pra paguan më shumë se gjysmën për t’u siguruar që të jetë e përballueshme për familjet, pavarësisht sa është kosto reale, së shpejti do të marrim një vendim të ngjashëm edhe për godinat studentore, që të subvencionojmë çmimin. Këshillit Bashkiak do t’i propozoj që ne të paguajmë gjysmën e faturës së studentëve, sidomos për ata që vijnë nga rrethet, që i kanë edhe kushtet më modeste. Së dyti, duam të marrim edhe një vendim për të lehtësuar transportin për studentët”, tha ai.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *